I nderuar Zoti Kryeministër,

Të nderuar pjesëmarrës,

Po ju paraqes në mënyrë të përmbledhur disa nga investimet që FSHZH do të realizojë me financimet nga buxheti i vitit 2019.

Bëhet fjalë për 122 milionë Euro dhe 5 programe të reja  investimesh ne keto fusha

  • rehabilitimin e infrastrukturës rrugore, do punohet ne rreth 250 km në zonat me potencial turistik
  • ndërtimin e ujësjellësve në 88 fshatra në të gjithë Shqipërinë
  • rigjallërimin urban e zhvillimin e turizmit nëpërmjet 25 projekteve të rilindjes urbane shperndare ne gjithe territorin e vendit

Vetem në  qarkun e Vlorës janë parashikuar të investohen 16 milion euro gjatë vitit 2019 që përfshijnë rrugë, trashëgimi kulturore dhe rikualifikim urban:

Në fillim të vitit 2019 do të përfundojë Loti i parë i rrugës së Lumit të Vlorës nga Bypassi deri në Gjorm.

Brataj – Ura e Laskos (27km) dhe

Ura e Laskos – Qeparo dhe Ura e Laskos – Kuç (24km)

Peshkëpi – Selenicë – kryqëzimi Levan – Telepenë (16km).

Brenda në qytetin e Vlorës:

  • Rikonstruksioni i qendrës historike të qytetit në drejtim të rrugës Justin Godart, do të shtrihet edhe në drejtim të Kullës së Sahatit.
  • Zgjatimin e Lungomares në drejtim të tunelit ka përfunduar projekti dhe fillon puna së shpejti
  • Fillojmë gjithashtu rikualifikimin urban të vijës bregdetare nga Vlora deri në Orikum, investim rreth 22 milion euro.

Vitin e ardhshëm do të përfundojë faza e dytë e rikonstruksionit të rrugës Ramize Gjebrea që lidh zonën e Pyllit të Sodës me Transballkaniken,  duke i dhënë akses gjithë kësaj zone me potencial turistik të jashtëzakonshëm, por ende të pashfrytëzuar mirë.

Infrastruktura turistike ne gjithe vendin  është një nga prioritetet e investimeve  për vitin 2019. Konkretisht do të fillojmë në 2019-n ndërtimin e 60 kilometrave rrugë, ku do të përfshihen edhe 5 akse shumë të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të turizmit dhe të ekonomive lokale:

  • rruga e Thethit me një gjatësi prej 16 km
  • rruga Fier-Seman prej 18,2 km, me trotuare, ndriçim dhe korsi biçikletash
  • rruga Pogradec-Tushemisht prej 7 km
  • rruga Shëngjin Velipojë prej 15km
  • rruga Vlorë-Orikum, 10,3 km

Në veri do të ndërhyjmë me investime në zonën e Alpeve në Vermosh, Valbonë, Tamarë dhe Theth.

Konkretisht me investime për qendrat multifunksionale në Valbonë e Vermosh, për të krijuar një model rajonal për zhvillimin e turizmit  dhe menaxhimin e destinacioneve.

Po në fushën e turizmit, gjatë 2019-s do të vazhdojmë  implementimin e një programi 4 vjeçar Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin prej 65 milion eurosh.

Programi parashikon rigjallërimin e trashëgimisë kulturore dhe parqeve natyrore në bashkitë Gjirokastër, Berat, Përmet, Sarandë. Këtu do të përfshihen dhe  ndërhyrje për përmirësimin e integruar urban në zemër të këtyre qyteteve, si shëtitorja e Sarandës dhe rehabilitime në qendrat historike të Gjirokastrës dhe Beratit.

Po ashtu do të ndërhyjmë edhe në disa pika turistike si Porto Palermo, Syri i Kaltër, Zvërneci dhe parku arkeologjik i Orikut.

Këto ishin disa nga investimet më kryesore të parashikuara, por ka edhe të tjera që nuk mund t’i paraqesim të gjitha këtu.

Po përfitoj nga ky rast të falënderoj qeverinë dhe kryeministrin për besimin dhe t’ju siguroj se Fondi Shqiptar i Zhvillimit  e ka të gjithe kapacitetet dhe vullnetin për ta kthyer këtë buxhet në investime cilësore që nxisin rritjen e  ekonomisë dhe punësimin.

Ju faleminderit