Tiranë- Kanë filluar punimet për rikontruksionin e rrugës që do të lidhë “Urën e Mesit” me “Kalanë e Drishtit”, Loti II & III”
Ky aks është një degëzim i rrugës Shkodër-Dukagjin, i cili të çon në fshatin Drisht dhe në Kalanë e Drishtit.
Projekti është ndarë në dy lote: Loti 2, Ura e Mesit – Drisht, fillon pas Urës mbi lumin Kir dhe përfundon në 2 km+980. Aktualisht rruga është tërësisht e amortizuar dhe në pjesën më të madhe të gjatësisë së saj nuk kanë mbetur më shtresa asfaltike. Trupi i rrugës është me gropa të formuara nga kushtet atmosferike dhe mungesa e disiplinimit të ujërave në të. Në këtë segment ka dy ura në të cilat është parashikuar ndërhyrje për zgjerimin e tyre.

Loti 3, Drisht – Kala e Drishtit, fillon në dalje të fshatit Drisht dhe përfundon në hyrjen e Kalasë së Drishtit në 3 km+ 070. Problemet bazë në këtë segment janë rrëshqitjet në trupin e rrugës dhe në pjesët mbi rrugë. Një problem është edhe mos disiplinimi i ujërave të cilat sjellin amortizim të shpejtë të shtresave asfaltike. Në rrugë mungojnë elementët mbrojtës.Rikonstruksioni i rrugës Ura e Mesit- Kala e Drishtit do të ndihmojë në zhvillimin e ekonomive bujqësore dhe turizmit në zonë. Kjo ndërhyrje përbën vetëm një ndër shtyllat e ndërhyrjeve për zonën e Drishtit, që është pjesë e programit 100 Fshatrat të Qeverisë shqiptare, i cili do të bëjë të mundur rivitalizimin e Drishtit dhe kthimin e tij në një model, të zhvillimit të zonave historike e trashëgimisë kulturore.