Tiranë- Përmirësimi i aksesit është një element kyç, në prezantimin e atraksioneve turistike dhe mundësisë për ti sjellë ato më pranë.

“Bekimi” në një tokë vendosur në zemër të Ballkanit e Europës, prej lashtësisë e deri më sot ka lënë gjurmë qytetërimesh “për tu patur zili”, të cilat mbledhin vizitorë kuriozë nga e gjithë bota. “Rrotulloje hartën e Shqipërisë” e në çdo cep të saj, ku do dëshirosh të shkosh do gjesh dëshmi të luftërave e prani të udhëheqësve, që kanë shenjuar në vijim rendet botërore.

Mbrojtja e këtyre gjurmëve në ditët e sotme është një sfidë e përbashkët e lokaliteteve dhe strategjive kombëtare. Në këtë kuadër, Restaurimi i peisazhit Urban Historik dhe Rijetëzimi i Qendrave Historike, paralel me standardet më bashkëkohore për hapësira të shtuara publike janë disa nga objektivat, që FSHZH synon të plotësojë në kuadër të fuqizimit të turizmit historik e kulturor.

Vlen për tu theksuar se për këto projekte FSHZH është në bashkëpunim të vazhdueshëm përmes konsultimeve dhe me Njësitë Vendore përkatëse, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Institutin e Monumenteve të Kulturës, Agjenci partnere, operatorë lokalë me synim diskutimin e zgjidhjeve teknike dhe sociale që këto projekt-investime parashikojnë.

Në këtë kuadër është mjaft i rëndësishëm për FSHZH-në, komunikimi me Grupet e Interesit të përfshira, prej identifikimit dhe zbatimit të projektit. Asistenca teknike për NJQV-të vijon gjithashtu dhe në hartimin e Planeve të Zhvillimit Lokal, të cilat reduktojnë papunësinë. Kjo pasi zhvillimi i industrisë së turizmit dhe degëve të tij është një ndër format kryesore për të rritur ekonominë lokale dhe për të nxitur ide/investime në shërbim të konsumatorit.

Ndërkohë ndërhyrjet në terren synojnë të jenë minimaliste, të integruara në zonat historike për të prezantuar në mënyrën e duhur “paketat turistike”, për vizitorët vendas dhe të huaj.