Në progres punimet “Ndërtimin e godinës së re, Bashkia Divjakë” ku deri më tani janë realizuar rreth 70% e punimeve në terren.

 

70%
Më parë godina ekzistuese e kësaj Bashkie nuk arrinte të permbushte hapësirën e nevojshme për kryerjen e të gjitha funksioneve administrative të saj. Marrja në vazhdim e ambienteve me qera ka sjellë një kosto të vazhdueshme në buxhetin e Bashkisë, për tu gjendur çdo ditë pranë qytetarëve, përpos proceseve copëzuar në godina dhe sektorë të ndryshëm.

Godina e re e bashkisë po ndërtohet në tokën shtet midis rrugëve “Italia” ne veri, “Vikthi” në jug dhe perëndim. Godina do të përbëhet nga dy trupa që ndërveprojnë me njeri tjetrin duke shfaqur formën katrore me dimensione të jashtme 45m me drejtimin Lindje –Perëndim dhe 34.1 m në drejtimin Veri-Jug.

E organizuar në 3 kate ku secila mbart specifikimet;

Kati Nëntoke ka një sipërfaqe ~1364.00 m². Në të janë përfshire funksionet si parkim për administratën dhe publike.

Kati Përdhe ka një sipërfaqe ~ 624.07 m² m² ku janë organizuar shërbimet one-stop shop, kontakti dhe pritja e qytetareve.

Kati i Parë me një sipërfaqe~1173.65 m² do jetë në funksion të Administratës dhe Këshillit të Bashkisë, me zyra dhe ambientet përkatëse.

Kati i Dytë me një sipërfaqe ~ 1146.04 m² do jetë sërish në funksion të Administratës

Ndërthurja e dy trupave krijon në qendër një atrium, pra një hapesirë të lirë të përbashkët qendrore me sipërfaqe 577.5 m² dhe do të përdoret si hapësirë që do të shfrytëzohet për administratën dhe banorët në raste organizimi evenimentesh.

Objekti nuk do të shërbejë vetëm si godinë në funksion të shërbimeve por dhe si një vlerë e shtuar për peizazhin e sheshit qendror dhe të qytetit në tërësi. Përdorimi i sistemeve inovative siç janë fasada e ventiluar, mirëizolimi termik, sistemi qendror i kondicionimit i të gjithë objektit do të ndihmojnë jo vetëm në rritjen e eficencës energjitike, por do sjellin kursime të konsiderueshme në buxhetin e bashkisë dhe mirëmbajtjen ndër vite.

Sipërfaqja e katit nëntokë parashikohet të ketë 37 vende parkimi. Në të jane pozicionuar dhe aksesi për personat me aftësi të kufizuar që shërbehet nga 1 rampë dhe dy shkallët në fasadën veriore. Gjithashtu në anën jug-lindore do të jetë një magazinë dhe ambienti teknik ku do të sistemohen matësit dhe komandimi i sistemeve të objektit.

Të gjitha sistemet e impianteve do të jenë të organizuara. Impiantet elektrike dhe sistemet e ndryshme teknologjike siç janë sistemi i alarmit kundër zjarrit dhe i kamerave do të organizohen në të gjitha ambientet e objektit. Për sa i përket ujërave të bardha dhe të zeza do të grumbullohen sipas kushteve higjeno-sanitare dhe projektit të prezantuar. Kullimi i ujërave të shiut do të organizohet për t’u shkarkuar në kanalet e kullimit jashtë territorit të zhvillimit të objektit. Lidhja me ujin e pijshëm do të realizohet me rrjetin e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime, Divjakë.

Aktualisht po punohet për proceset si;

  1. Shtrim pllakash
  2. Lyerje muresh
  3. Tavane gipsi
  4. Instalime elektrike
  5. Mermeret e shkallëve
  6. D’avanzalet e vetratave
  7. Vendosja e dyerve të brendshme, vetratat, paisjet e aspirim kondicionimit

Ndarjet e ambienteve të brendshme do të realizohen me mure kartoxhesi të izoluara me fibër xhami ndërsa krahu i korridorit do të jenë me fasadë xhami të temperuar për të krijuar transparencë dhe komunikim viziv me pjesën e jashtme të objektit.

Fasada e zyrave është e tëra xham dhe hijëzimi do të realizohet nëpërmjet panelave të aluminit model ‘brisolei’ që mundëson rritjen e efiçencës së energjisë gjatë dimrit dhe verës.