Qyteti i Ballshit ndodhet në Rrethin e Mallakastrës, i cili ka pozicion tejet të favorshëm gjeografik, në jugperëdim të vendit dhe vetëm 40 km larg detit Adriatik. Zona veçohet për trashëgiminë e pasur historike, ku përfshihen rrënoja të civilizimeve të lashta siç janë qytetet antike i Bylisit dhe Nikaja, Bazilika në Ballsh etj.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është duke përfunduar rikualifikimin urban në qendër të qytetit, projekt i cili synon të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm të zonës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Me rijetëzimin e qendrës së qytetit ndërhyrja synon të nxjerrë në pah potencialin e lartë dhe vlerat e zonës, me një impakt pozitiv gjithashtu dhe në mjedis.

Me rehabilitimin rrënjësor të qendrës së qytetit, sistemohet jo vetëm bulevardi i qytetit por edhe degëzimi rrugor që lidhin atë me aksin e rrugës nacionale. Në këtë mënyrë lehtësohet qarkullimi, duke e bërë këtë zonë më funksionale dhe duke i dhënë një dimension bashkëkohor në përputhje me nevojat dhe kërkesat e banorëve.

Dhe jo vetëm, rikonstruksioni i degëzimit që lidh bulevardin me rrugën nacionale shkurton kohën e lëvizjes dhe ndërlidh zonën, pasi Ballshi është një nga qendrat më të mëdha për nxjerrjen e naftës dhe përpunimin e saj në Shqipëri, duke bërë të mundur zhvillimin e tregëtisë.

Realizimi i këtij projekti unifikon hapësirën dhe rrit në tërësi vlerat e saj. Gjithashtu ndërhyrja parashikon zonë pedonale, hapësirë për argëtim, qëndrim dhe aktivitete çlodhëse për banorët, mobilim urban, ndriçim, gjerbërim, trajtimi i fasadave, korsi biçikletash etj.