Është e pamunduar të mos e kesh vizituar ende qytetin e Beratit, dhe këtu nuk ju referohem vetëm lexuesve shqiptarë. Nëse ju përmbahemi fakteve historike, Beratasit nuk kanë ndrojtje teksa flasin për qytetin e tyre shpallur “Muze” dhe tashmë nën mbrojtjen botërore të “UNESCO”. Civilizim më shumë se 2400 vjeçar që ka dëshmuar ngjarje me rëndësi historike e kulturore në nivel kombëtar, dhe mbart ndër çdo rrugicë tregime të moçme.

Potencial turistik për të cilin si në nivel qarku gjithashtu shkruhet ende e sot, me pasion nga vendasit e kuriozitet nga të huajt, si një destinacion për të mos u humbur. Prej urës, lagjeve Mangalem e Goricë, luginës së Osumit apo Kalasë së Beratit, tradita është rrënjosur deri në minielementë si një mozaik.

Shifra prej 500 mijë vizitorësh në periudhën 2014-2020 tregon se vendbanimet e lashta dhe arkitektura e rrallë, pa lënë mënjanë këtu dhe mikëpritjen dhe “sekretet e kulinarisë vendase” e bëjnë të preferuar në çdo listë vizitorësh. Si çdo destinacion kombëtar apo më gjerë, ndër kohë kërkesat e turistëve përmblidhen nën fjalën – Akses – zbërthyer kjo në vijim me përmirësimin e një rruge për të arritur destinacionin, rikualifikim për kushtet mikpritëse pa dëmtuar zonën apo mjedisin etj.

Në këtë drejtim, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një suport të theksuar të turizmit në nivel kombëtar, prej vitesh tashmë shtrihet në të gjithë hartën e Shqipërisë duke zhvilluar projekte në qytete të ndryshme, që si më sipër afrojnë më pranë gjithsecilin prej nesh me këto site.

  • Kështu në Berat, në fundjavë mund të drejtohesh të vizitosh kalanë. Në rrugën për tu ngjitur drejt saj, “Muzak Topia” në të cilën nuk ishte vënë dorë prej 25 vitesh, përfshihet segmenti nga hyrja e qytetit të Beratit deri në lagjen muzeale “Kala”. Nëse deri dje, drejtuesit e autobuzëve plot me turistë “nënshkruanin përditë marrëveshje të heshtura për lejim – kalim” për shkak të bllokimit, sot ky aks plotëson të gjithë parametrat prej cilësisë së ndërtimit, asfaltimit, gjerësisë, trotuarëve, sinjalistikës, ndriçimit dhe hapësirës për parkim lart.
  • Fluksi me vizitorë solli nevojën e investimit të radhës, që është në proces për transformimin e sheshit qendror dhe parkimit nëntokësor, një nga më të mëdhenjtë në vend, që pritet të akomodojë rreth 200 mjete në një hapësirë prej 8000m2, duke ofruar akses në të dy anët e sheshit të ri. Përtej parkimit nëntokësor zona do të kthehet në pedonale në funksion të qytetarëve, përfshirë edhe rruga mes sheshit dhe dy objekteve të kultit të qytetit.
  • Nëse do të eksplorosh zonën dhe në nivel qarku, është drejt përfundimit Unaza e re e Beratit (cilësuar si Bypassi i qytetit). Aksi do të funksionojë si unazë e qytetit dhe së bashku me zgjidhjen e elementëve gjeometrike dhe strukturorë do të kenë një impakt pozitiv, si nga pikëpamja funksionale ashtu edhe nga pikëpamja turistike, kjo e fundit duke ju rikthyer banorëve, vizitorëve peizazhin e fshehur të lumit Osum.
  • E në vijim, në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë (Bankën Botërore) jemi në proces për projektin “Restaurimi i peizashit historik të lagjes Goricë dhe Mangalem”, apo “Restaurimin e ish-Selamllikut të Vrionasve dhe Zonës përreth”.

Infrastruktura në sitet turistike luan një rol të rëndësishëm dhe kontribuon në krijimin e një impakti pozitiv, rritjen e nivelit të jetesës, të të ardhurave, dhe një sërë ambientesh bashkëkohore, por duke restauruar dhe mbrojtur së pari komponentët e tyre origjinalë.