Dixhitalizimi dhe decentralizimi i shumë shërbimeve dhe funksioneve  drejt bashkive sjell domosdoshmërinë, për sigurimin e kushteve të duhura, për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve. Bashkia Divjakë me një popullsi  rreth 54 000 banorë aktualisht gjendet në vështirësi përsa i përket mungesës së hapësirës në kryerjen e funksioneve administrative. Ambiente me lagështirë, të amortizuara dhe të papërshtatshme për të instaluar çdo lloj infrastrukture ndihmëse kanë sjellë problematika të vazhdueshme, ditore si për stafin dhe për banorët. Në këtë situatë përkohësisht janë marrë ambiente të tjera me qera, të cilat ndikojnë direkt në buxhetin e bashkisë dhe në shpërndarjen e funksioneve dhe drejtorive, duke  krijuar kosto fizike dhe ekonomike. 

Në një gjendje totalisht të amortizuar, godina e Bashkisë Divjakë do ti nënshtrohet një procesi transformimi, për të mundësuar kështu të gjithë logjistikën e domosdoshme dhe përmirësuar marrjen e shërbimeve. Përmes një infrastrukture moderne bashkëkohore, godina e re do të përmbledhe dhe plotësojë të gjithë detyrimet ndaj banorëve.

Ajo do të jetë e organizuar në tre kate dhe me një kat nëntokë. Ky i fundit hapësirë parkimi për administratën dhe publik, si dhe pajisur me rampe për akses të personave me aftësi të kufizuara. Godina do të jetë e pajisur me të gjtihë sistemet e sigurisë, (alarm zjarri, sinjalistikë, sensor lëvizje) dhe qarkullim përmes ashensorëve dhe shkallëve.

Kati përdhe është organizuar si hapësirë  OneStopShop – për takime me publikun, marrje dhe dhënie informacioni. Rrethuar me fasade xhami për të lejuar transparencë dhe vazhdimësi me sheshin qendror. Në këtë kat hapësira e lirë do të jetë pjesë e integruar e sheshit qendror, që do të shërbeje dhe si qendër e bllokut të banimit të sotallarëve, në të cilën janë planifikuar vendparkime për automjete, ambiente të gjelbëruara dhe çlodhëse. Në katin e parë janë organizuar hapësira për sallat e Këshillit Bashkiak, Kryetarit dhe drejtorive të tjera të bashkisë. Dhe në katin e dytë ambiente për pjesën tjetër të administratës.

Godina do të përmbajë  parametrat më të fundit dhe bashkëkohore të ndërtimit, për të siguruar kështu një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme në logjistikë. Objekti përpos funksionit të shërbimeve do të kthehet dhe në një vlerë të shtuar për peizazhin e sheshit qendror në tërësi.