Ka filluar asfaltimi për ndërhyrjen “Rikualifikim urban i rrugëve “Ura e Re – SHISH”, “Antipatrea”, “Shëtitorja Osumi” dhe “Santa Lucia”.

Në një qytet turistik me një frekuentim gjithnjë e në rritje, qëllimi kryesor i këtij projekti është lehtësimi i qarkullimit, ndryshimi i rrjedhjes së trafikut të rënduar dhe të mjeteve të rënda, projektimi i sinjalistikës së përshtatshme vertikale dhe horizontale, trajtimi i kryqëzimeve, trajtimi i mbistrukturës rrugore, si dhe trajtimi i veprave të dëmtuara të artit.

Prej kohësh gjendja e varfër e infrastrukturës rrugore krijonte pengesën më të madhe për transportin e njerëzve dhe të mallrave, për investimet e huaja, për zhvillimin e turizmit, për rritjen ekonomike, aksesin ndaj shërbimeve sociale, mundësive për punësim, në mënyrë të veçantë për banorët e zonave rurale. Kuptohet se një infrastrukturë e dobët rrugore rrit kostot për ndërmarrjet dhe ul konkurencën, si dhe kufizon aksesin ndaj shërbimeve më të domosdoshme.

Në këtë drejtim për të siguruar zgjidhje afatgjatë në nyjen e parë u riprojektua një rrethqarkullim i ri. Në nyjen e dytë duke qenë se përparësia dhe rrjedhja e trafikut do të devijohet nga rruga Antipatrea ne Shëtitore Osumi, u pa e nevojshme rikonceptimi i saj, bazuar ne rregullat e projektimit gjeometrik. Nyja ndodhet në zonë të banuar duke u përshtatur me hapësirën në dispozicion, pa dalë jashtë kufijve të rrugës ekzistuese. Ndërkohë në nyjen e tretë përparësia dhe rrjedhja e trafikut do të vazhdojë nga Shëtitore Osumi, në rrugën Santa Lucia konceptuar si nyje në formë T.

Përsa më sipër zgjidhjet janë në përputhshmëri të plotë me standardet e projektimit. Gjithashtu i përshtaten më së miri zhvillimit të ardhshëm të infrastrukturës në qytet duke konsideruar si rrugë në vazhdim shëtitoren Osumi drejt një lidhje te re unazore me rrugën nacionale Berat – Çorovodë. Paralelisht është punuar dhe për plotësimin e të gjithë elementëve të sigurisë, qoftë përmes pranisë së mureve mbajtëse, mbrojtësve metalike të sigurisë, si dhe ndriçimit.

Projektet e njëpasnjëshme të FSHZH në funksion të komunitetit fillimisht, si dhe drejtimeve të caktuara të ekonomisë vënë theksin në synimin kryesor të organizatës, për një zhvillim të qëndrueshëm në vend.