Tiranë- Turizmi është një ndër drejtimet më premtuese të zhvillimit ekonomik të Beratit. Qyteti trashëgon nga e kaluara një varg të gjatë e të pasur vlerash historike, kulturore, etnografike, arkitektonike e të besimeve, të tilla që përbëjnë një potencial të konsiderueshëm për turizmin. Me burimet turistike të qytetit është e mundur që të zhvillohet turizmi familjar dhe ai i organizuar.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti do të jetë rehabilitimi dhe ndërtimi i rrugëve kryesore të qytetit, të cilat do të projektohen për të devijuar trafikun e rënduar dhe njëkohësisht të lehtësojë trafikun në zonën historike të mbrojtur nga UNESCO.

  • Projekti trajton rrugën Antipatrea, e cila fillon rikonstruksionin në pikën e lidhjes më rrugën e projektuar “SHISH-Ura e Re”.
  • Rruga “Shëtitorja Osumi” e cila fillon nga kryqëzimi me rrugën Antipatrea dhe vazhdon përgjatë lumit Osum.
  • Rruga “Santa Lucia” e cila fillon nga kryqëzimi me rrugën “Shëtitorja Osumi” dhe bashkohet me bulevardin për të përfunduar sërish në rrugën Antipatrea.

Duke qene se rruga e projektuar “SHISH-Rruga e Re” ndërpritet me rrugën Antipatrea, qarkullimi i mjeteve të rënda, i cili do të realizohet nëpërmjet rrugës “SHISH-Rruga e Re”, do të rregullohet me anë të një rrethqarkullimi.

Nyja ekzistuese midis rrugës Antipatrea dhe Shëtitores Osumi është projektuar e tillë që konsideron rrugën Antipatrea rrugë kryesore, orienton në atë drejtim trafikun e rëndë duke e kufizuar atë në drejtimin e Shëtitores Osumi. Rikonceptimi i Nyjes së dytë konsideron kalimin e trafikut të rënduar në Shëtitoren Osumi, duke kufizuar qarkullimin e tyre në vazhdim të Rrugës Antipatrea.

Nyja e tretë lidh Shëtitoren Osumi me Rrugën Santa Lucia, e cila në vazhdimësi do të bejë devijimin e përkohshëm të trafikut bulevardit Republika dhe pastaj lidhet me rrugën Antipatrea. Ndërhyrja synon mundësi për zhvillimin e turizmit si dhe akses ndaj shërbimeve sociale, duke rritur mundësi për punësim si dhe zhvillim të ekonomisë lokale.