Tiranë- Ndërhyrja e radhës në lokalitet do të përfshijë segmentin rrugor Librazhd – Babje, i cili shtrihet në krahun e djathtë të rrugës nacionale Elbasan – Librazhd. Aktualisht zona e ndërtimit karakterizohet nga mungesa e rrjetit rrugor. Rruga është e ngushtë dhe ka shtresa që përbëhen vetëm nga formacione të dherave të zonës, pa sisteme të largimit të ujërave të shiut. Segmenti rrugor kalon në një terren të thyer malor dhe gjatë periudhës së reshjeve bllokohet nga dherat në rrugë.

Në këtë kuadër ky rrjet do të konceptohet tërësisht i ri, në përputhje me standardet më bashkëkohore, duke ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës së transportit të zonës. Me një popullsi rreth 2500 banorë, kjo rrugë do të mundësojë promovimin e prodhimeve bujqësore dhe blegtoriale. Natyra e qetë dhe piktoreske do të nxisë akoma më shumë frektuentimin e një numri më të lartë pushuesish të cilët vitet e fundit e kanë vizituar shpesh këtë zonë. E gjithë kjo me një impakt direkt në rritjen e mirëqënies së zonës dhe ekonomisë vendase.