Fshati Borsh është pjesë e Njësisë Administrative Lukovë dhe në lashtësi njihej me emrin “Meandria”. Ka një plazh të kristaltë, e përballë tij harmonizohen kodra e male, për të cilat natyra nuk ka hezituar aspak në krijimtarinë e saj.  Me siguri të ka rastisur sidomos gjatë sezonit veror të bësh plazh aty. Deti Jon përgjatë gjithë vijës sonë bregdetare është një perlë.  

Por përveç plazhit mund të japim sugjerim për një aktivitet ndryshe. Nëse je i apasionuar pas hiking, historisë e për me tepër “për të ngjitur maja”, vetëm 3 km në veri-perëndim të fshatit është kalaja e Borshit ( që mbase në libra ose më të dëgjuar, mund ta kesh rastisur me emrin Kalaja e Sopotit).

Kalaja ka një pozitë të rëndësishme strategjike jo vetëm sepse ndodhet pranë detit, por edhe pranë njërës nga dy grykat që përshkonin që në lashtësi “malet Akrokeraune”, në mesjetë të njohura si malet e Himarës, duke lidhur bregdetin me brendësinë e vendit. Gjithashtu si një komb në paqe fetare, brenda kalasë do të gjesh xhaminë e vetme në Rivierën Shqiptare.

E për këtë destinacion historik e kulturor, mund të kesh dëgjuar më herët e nuk e ke marrë mundimin se rrugë e keqe, e ngushtë. “Shteg dhish, me pak fjalë” – siç e rikujtojnë vetë banorët e zonës.

Por koha sjell ndryshime, dhe përmirësimi i infrastrukturës evoluim.  Me financim të Qeverisë Shqiptare aktualisht është në rikonstruksion të plotë aksi “Borsh-Kala e Borshit”. Sapo mbërrin në qendër të zonës, merr majtas dhe fillo ngjitjen.

Rruga gjarpëron nëpër kreshtë dhe të fton në eksplorim. Para teje të mirëpret Kalaja me muret e dukshëm rrethues, e kalldrëmin “si qëmoti”, e pas teje deti e qielli lidhen në një pikturë pa fillim e pa fund.  

Në ngjitje do të hasësh banorët e zonës, që mendonin se ky aks “nuk do të bëhej, sa të kishin jetë”.

Kryefamiljari i një prej shtëpive të para, i cili ishte kthyer nga Athina vetë më profesion inxhinier na përshëndet: “Themelet që po bëhen këtu, po bëhen tamam e të kalojë koha nuk do ti gjejë gjë. Punëtorët dhe stafi janë të palodhur dhe të komunikueshëm. Rrugët sjellin lëvizje, gjallëri, ekonomi. Këtu do jem dhe kur të asfaltohet, me përshtypjet më të mira që tani”.

Jemi lart dhe sapo hyn në portën kryesore të kalasë shkëputesh në histori, ku“mjetet e luftës kokëfortë” të zhytyra në gurë, qëndrojnë aty krenare për të mirëpritur vizitorë. Sepse historia ka folur për to.

Në majë të kësaj kreshte shkëmbore, kalaja zë një pozicion qendror kundrejt qytetit antik të Borshit, i cili shtrihej dikur në shpatet e kësaj kodre. Për turistët është një atraksion turistik i veçantë.

Siç edhe një prej banorëve të zonës, i cili punon si taksist rrëfen: “Unë për 3 muajt e verës e kam punën të prenotuar tani. I sjell deri lart, sidomos nëse janë familje. Dhe shqiptarë, e të huaj.  Më mirë që se keni parë si ka qenë më herët. Gjynah të ngjisje makinën, as nga halli jo. Është bërë një punë shumë e mirë dhe na duhej. Llogarit sa do vijnë tani, ne veç mirë na bëhet”.

Ndërhyrja synon të përmirësojë aksesin në një atraksion historik-kulturor të jugut, duke nxitur zhvillimin ekonomik të banorëve të zonës, me rritjen e mundësive për aktivitete ekonomike në mbështetje të turizmit.

“Kartolinat natyrore” që do të marrësh nga kalaja janë mbresëlënëse. 

Merrni dhe miqtë me vete, qoftë hiking apo me makinë. Aventurat turistike do të jenë historitë tuaja për tu treguar.
E sa për foto, edhe pas 1000 shkrepjesh do vazhdoni të kërkoni rezultat.