Jemi në muajt e fundit të punimeve në qytetin e Roskovecit, me vëmendje të shtuar ndaj rikualifikimit urban dhe ndërtimit së qendrës së re.
Me financim të Qeverisë Shqiptare është një tërësi ndërhyrjesh të cilat në shërbim të banorëve, synojnë të krijojnë ambiente rekreative dhe funksionale.
Sheshi nënkupton një pikë takimi, për të gjithë brezat.
Punëtorët vijojnë të shtrojnë pllakat e gurta në sipërfaqet e mbetura dhe ndërkohë mund të vësh re “lëvizjet e paduruara” të fëmijëve, të cilët kanë një vend të ri për të luajtur.
Hapësira e re për zotërinjtë e moshuar, të cilët lojën e dominosë e luajnë me të njëjtin nerv edhe pas kalimit të viteve. “Ja sheshi, ja mejdani”.
Dhe mundësia që të shtosh ekonominë dhe biznesin, ku pas një kopështi për fëmijë (sepse sheshi sjell dhe siguri larg makinave), të hapësh dhe një kafene pasi priten të shtohen lëvizjet, sidomos në pranverë.
Janë shumë të ndërgjegjshëm për faktin se nga një grumbullim i hershëm deposh, tashmë ka një hapësirë çlodhëse dhe godinë të re bashkie për shërbimet bazë.
Dhe jo vetëm, punimet për rrjetin e ri inxhinierik nëntokësor, ju kanë larguar “ujërat e zeza dhe minjtë” nga hyrjet e pallateve, siç rrëfejnë banorët. Në pedonale do të pasurohet ambienti me vendosjen e sinjalistikës dhe ndriçimit në të gjithë gjatësinë e sheshit, kënde lojërash, punime gjelbërimi.
Pavarësisht “kompleksitetit të trashëguar të kamerës”, kemi arritur të marrim disa intervista, atyre që deri dje ju duhet të përballeshin me situata gati të pabesueshme, përditë duke u kthyer në një stres dhe vështirësi fizike e psikologjike.

– Njëri prej tyre, na përshkruan ndryshimin
“Më përpara kanë qenë ca depo të vjetra, minj, papastërti gjithandej- ça të të tregoj
Skandal fare, me baltë me të tëra, tani ka dalë në dritë. E kanë bërë super. Kanalizimet janë bërë të mira, nuk përmbytemi më. Të bjerë çtë dojë tani, vetëm tërmetit skemi çti bëjmë.”

– Ndërkohë qytetari tjetër, i cili ka në pronësi një kopësht fëmijësh “me pamje nga sheshi”, rrëfen se sipërmarrja nuk do ngelet këtu.
“Tani puna është shumë e mirë, fshati që duket sdo kallauz. Pallatet atje njëher ishin si në mesjetë. Po mendoj tani që afron pranvera, ka lëvizje, xhiro mbasdite. Të hap dhe një kafene këtu përballë, të shohim si do shkojë”.

– Dhe e fundit, jo më pak e rëndësishme nënë/ banore e lagjes prej vitesh e cila së bashku me motrën e saj, në stola rikujtonin të shkuarën.
Me shumë sinqeritet fajin e problemeve të saj shëndetësore ja kishte vënë të gjithë mundimit fizik, kur çdo ditë dilte me cizme nga pallati dhe për të blerë bukë.
“Ujë deri në mes të trupit. Unë këtu e kam marrë astmën. Nuk zbrisje dot poshtë se ujë i kishtë mbuluar shkallët që pa gdhirë. Tani shiko gjelbërim, pastër e shtruar. Ja ulemi me motrën këtu, në diell. Ne veç të mira ju urojmë juve”.

Janë mirënjohës, duke dashur që e shkuara e këtij sheshi të mos përsëritet kurrë dhe fëmijët e nipërit të gëzojnë një hapësirë të re publike çlodhëse dhe argëtuese.