Rruga Qafë Thorë – Theth, investimi i shumëpritur nga banorët dhe turistët

Tiranë- Rajoni i alpeve është “muzeu natyror” ku peizazhet e pacënuara janë një nga asetet më të rëndësishme të turizmit malor duke ftuar çdo turist për eksplorim. Ndërkohë që rutina e përditshme bëhet më e shpejtë, një numër gjithnjë e më i lartë njerëzish po zbulojnë shtigjet dhe lartësitë e maleve si mundësi për zbavitje, aventurë dhe çlodhje.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit vë në veprim përmirësimin e infrastrukturës, për të nxitur turizmin në të gjitha qarqet e Shqipërisë, duke i sjellë gjithnjë e më pranë destinacionet turistike.

Është e vërtetë nëse do të udhëtosh në një vend të ri, të duket se e mendon dy herë nëse rruga është e vështirë dhe do mjete transporti specifike.  Dhe këtë gjë mund ta ketë menduar më parë secili prej jush nëse do të lëvizte një fundjavë për të shkuar në Theth. Larg, Ftohtë dhe Rrugë e keqe, (e ngushtë dhe me gropa).

Prej muajit tetor të këtij viti  FSHZH ka filluar zbatimin e projektit për “Rikonstruksionin e rrugës Qafë Thorë-Theth”. Ky projekt po zbatohet në kuadër të programit “Rrugët Lidhëse Rajonale” financuar nga Banka Botërore. Me një gjatësi prej 16 km rruga lidh Thethin me Qafë Thorën, Bogën dhe Shkodrën. Ndër të tjera, projekti parashikon gjerësi asfalti 4 – 4,75 metra dhe në 3 pikat më kycce të rrugës do të ndërtohen 3 tunele nga 20 -30 metra për të siguruar mbrojtje nga ortekët. Punimet e kërkuara sipas kësaj kontrate konsistojnë kryesisht në; lëvizjen e tokës dhe gërmimet, shtrimin dhe kompaktimin e shtresave të mbivendosjes së rrugës, punimet e asfaltit, punimet e shërbimeve, betonet dhe armaturat dhe punimet e peizazhit.Shërbimet e kërkuara për ndërtim konsistojnë në: rindërtimin e rrugës, ndërtimin e strukturave, elementet e sigurisë, përmirësimin e peizazhit, etj. Rindërtimi i rrugës do të rrisë vlerën e aseteve përreth, lehtësimin e aksesit në zonë dhe lëvizjen për banorët lokalë dhe mundësinë e hyrjes.

Ndërhyrja në këtë aks specifikisht synon të lehtësojë aksesin në një prej zonave më të frekuentuara të Alpeve. Kalimi Valbonë – Theth me pejsazhin e mrekullueshëm, ujvara dhe Syri i Kaltër, Kulla e Ngujimit dhe  kuzhina tradicionale janë vetëm disa prej atraksioneve që nxit turistët të marrin rrugën drejt Thethit. Ndërkohë, për banorët, krahas rritjes së numrit të turistëve në bujtinat e shumta që janë hapur, ky investim do të lehtësojë qarkullimin edhe gjatë muajve të dimrit.