Tiranë- Në njësinë Balldren, pikërisht në fshatin Balldren i ri, të bashkisë Lezhë, ndodhet kisha 800-vjeçare e Shën Premtes. Shpallur monument kulture ruan me fanatizëm brenda saj afreske që datojnë nga shekulli i 13, më i veçanti ndër ta është “Darka e Fundit”. E realizuar nga piktorët dalmatë 200 vite me parë se krijimi i të famshmit Leonardo da Vinçi, ky afresk ka një ngjashmëri të lartë me pasardhësin e saj. Kjo kishë me këtë risi të rrallë, ndodhet në zonën e Balldrenit, që shtrihet në Ultësirën Perendimore të zonës së Nënshkodrës, në pozicion gjeografik të favorshëm, ku kombinohet klima fushore, bregdetare dhe ajo e zonës së ulët malore.Rikonstruksioni i rrugës Balldren-Bend 19.3 km ka filluar prej disa javësh nga FSHZH për llogari të qeverisë shqiptare.

Projekti parashikon rikonstruksion të plotë të këtij aksi me ndikim të drejtpërdrejtë, për rreth 10 mijë banorë të njësive administrative Torovicë, Balldre, Malecajve, Shkëmbit të Kuq e Kolajakave. Përmes zhvillimit të infrastrukturës synohet të sigurohet një zhvillim i qëndrueshëm i turizmit. Kisha e përmendur më sipër është vetëm një nga atraksionet e shumta që zona ofron.

 

Në këtë mënyrë rritet punësimi në këtë sektor, i fokusuar jo vetëm në zonat tipike bregdetare, por edhe në zonat kodrinore-malore. Studimi i kryer me porosi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe me mbështjetjen e Bankës së Këshillit të Europës dhe Bankës Europiane të Investimeve “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale” (PRDL) vë në dukje se në zonat rurale ku ka pasur investime në infrastrukturë rrugore, prodhimi bujqësor është rritur dhe diversifikuar në masën 30 %, kostot e prodhimit janë ulur me rreth 15% dhe punësimi është rritur në masën rreth 13 %. Tashmë me një distancë më pranë qyteteve të Lezhës, Shkodrës dhe në bashkëpunim me banorët lokalë, priten të zgjerohen modelet e agroturizmit përgjatë zonës së Torovicës dhe fshatrave përreth, të diversifikohen produket, duke synuar përafrimin e turistëve vendas dhe të huaj, drejt traditës dhe kulinarisë së zonës.