Punimet për rikonstruksionin e Rrugës Mihal Komneno 1.2 km në Berat e njohur ndryshe si rruga këmbësore për në Kalanë e Beratit, po avancojnë me ritme shumë të mira.

Aktualisht është kryer rreth 65 % e volumit të punimeve dhe puna vijon normalisht edhe në këto ditë pushimesh. Ka përfunduar heqja e kalldrëmit ekzistues, vendosja e sistemit të kanalizimeve të ujrave të bardha dhe të ndotura dhe vendosja e linjave të elektro-telefonisë. Ndërkohë vijon puna për shtrimin me kalldrëm, ndriçmin publik dhe elementët e tjerë plotësues të projektit.

 

Gjithashtu ka përfunduar edhe shtrimi me kalldrëm dhe sistemimi i pikës panoramike Tabja dhe sheshit përpara saj dhe së shpejti do të mbyllet edhe vendosja e sistemit të vrojtimit dhe punimet e gjelbërimit.

Parashikohet që muaji tetor 2018 të shënojë përfundimin e punimeve. Së shpejti pritet të fillojë puna edhe për rrugën Muzak Topia, e njohur si rruga automobilistike për në Kalanë e Beratit.

Ndërhyrjet janë pjesë e një pakete investimesh prej rreth 13.5 Milionë Euro, në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar dhe Turizmin, financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.