Tiranë- E vendosur rreth 1.1 km nga qendra e Gjirokastrës, në pjesën verilindore të saj, Bypass-i i qendrës historike Ura e Nanxës – Urat e Mëdha Dunavat, nis nga Ura e Nanxës, një monument kulture i ndërtuar një shekull më parë. Rruga shtrihet në luginën e përroit të Nanxës dhe ka një gjatësi rreth 980m dhe gjerësi rruge 6 m për lëvizjen automobilistike, si dhe 3 m trotuar në të dy anët e rrugës. Ndërtimi i bypass-it në qendrën historike do të bëjë të mundur devijimin e trafikut si dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë, zhvillimit të turizmit, duke përmirësuar maksimalisht qarkullimin për banorët dhe vizitorët me rezultat rritjen e performancës turistike të qytetit”.

Projekti do të devijojë qarkullimin e automjeteve nga zona muzeale dhe kryesisht nga qendra e Qafës së Pazarit, si destinacioni kryesor turistik i turistëve që mbërrijnë në qytetin e gurtë. Problematika e bashkëjetesës së turistëve me makinat ka qenë përherë e pranishme duke u kthyer një shqetësim kronik për të gjithë vizitorët.

Kjo ndërhyrje i shërben gjithashtu edhe Qendrës Historike, nevojave të banorëve, biznesit dhe turizmit. Zhvillimi i Bypass-it në këtë zonë do të mundësojë një lidhje midis lagjes ‘Cfakë’, ‘Dunavat’ dhe ‘Pazar i vjetër’ që bën të mundur dhe zhvillimin e kësaj zone në një zonë të vizitueshme. Qëllimi është përmirësimi i infrastrukturës pritëse turistike, zgjidhja në mënyrë përfundimtare e problemit të trafikut në Pazarin e Gjirokastrës duke e shndërruar këtë të fundit në një zonë për këmbësorët, pa cënuar autenticitetin dhe karakterin e zonës së ndërhyrjes.

Në funksion dhe të rritjes së sigurisë së lëvizjes, projekti ka të parashikuar ndriçimin e rrugës në të gjithë gjatësinë e saj, si dhe pajisjen me sinjalistikën horizontale e vertikale.