Deri më tani janë realizuar rreth 65% e punimeve, aksi i kalueshëm për festën lokale të Bjeshkëve

Tashmë kanë rifilluar punimet për aksin Qafë Thore-Theth, pas kushteve të vështira atmosferike, të cilat nuk favorizojnë dhe bllokojnë proceset e zbatimit në përmirësimin e infrastrukturës.

Përmirësimi i infrastrukturës, nuk është thjesht ndërtimi i një rruge, por siguri në lëvizje, nxitje të qarkullimit dhe “zbulimin e zonës” teksa do të pasohet nga ndërhyrje të tjera për rivitalizimin e saj. Ndërhyrja për rrugën Qafë Thore – Theth është pjesë e investimeve që rrjedhin nga Plani Sektorial i Turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare.

Turizmi në këtë zonë (dhe të gjithë nëndegët e tij, familiar, aventure etj) është industria kryesore, e cila gjeneron të ardhura dhe lidhet ngushtë me sektorët e tjerë të zhvillimit. Kjo ndikon menjëherë edhe në sektorët e tjerë, të tilla si industria e prodhimit, bujqësia dhe sektori i shërbimeve të cilat stimulojnë ekonominë lokale dhe gjithashtu ofrojnë burime të ndryshme të të ardhurave për popullsinë vendase dhe jo vetëm.

Në këtë kuadër, në këto ditë të nxehta vere një sugjerim për t’u organizuar dhe për t’u drejtuar pranë freskisë së Alpeve, për të festuar Ditën e Bjeshkës (festë lokale tradicionale, e përvitshme) më datë 2 korrik. Një fundjavë në Parkun Kombëtar të Thethit në zemër të Alpeve, mes bllokut të Bjeshkëve të Namuna dhe bllokut të Jezercës si një nga destinacionet turistike më të rëndësishme të Veriut.