Tiranë- Qyteti i Tiranës ka kaluar në disa faza të ndryshme gjatë transformimit të tij. Ruajtja e siteve kulturore vendase, si dhe përshtatja e zhvillimi i elementëve të rinj urbanistik e ka kthyer në një destinacion tërheqës për të gjithë vizitorët.

Një tjetër hapësirë e shtuar së fundmi është dhe ajo e sheshit Italia.  Patjetër keni ndaluar për tu çlodhur paraprakisht gjatë ndeshjeve të Kombëtares apo për të shëtitur një mbasdite me familjen dhe shoqërinë. Rikualifikimi urban i kësaj hapësire para stadiumit “Arena Kombëtare” ka mundësuar krijimin e një zonë çlodhjeje sa edhe pikëtakimi. Gjithashtu ky shesh nga krijimi i tij është parashikuar të jetë vazhdimësi e stadiumit të ri.

Por ndërkohë projekti nuk përfundon këtu. Përveç elementëve të mobilimit urban që janë në vendosje e sipër (strehë, punime gjelbërimi e ndriçimi) vijon puna dhe për ndërtimin e një vendparkimi nëntokë (2 kate), me akses përmes rampës të përbashkët me kompleksin e Stadiumit Kombëtar të Ri. Zbritja – ngjitja sigurohet me shkallë dhe me ashensorë në parkim (lehtësi për njerëzit me aftësi të kufizuara). Investim i domosdoshëm përkundrejt mbingarkesës së trafikut, automjeteve dhe lehtësimit të qarkullimit.

Mos harroni, me “Arenën Kombëtare” përbri dhe arkitektures së saj tepër të veçantë, ky shesh është dhe pika më e re për check-in në kryeqytet.