TIRANË – Ka filluar puna përgatitore për projektin Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale në Bashkinë e Himarës (FUZR IV). Bashkia e Himarës është pjesë e një projekti madhor që po përgatitet për t’u zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për llogari të qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane nëpërmjet KfW.

Në këtë fazë po hartohet studimi i fizibilitetit për ndërtimin e një ujësjellësi të ri që do të furnizojë me ujë qytetin e Himarës dhe fshatrat dhe të një impianti për trajtimin e ujrave të ndotura.

 

Një mision ekspertësh gjermanë së bashku me inxhinierë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit zhvillluan këto ditë një seri takimesh dhe vizitash në terren për të vlerësuar gjendjen aktuale të sistemit të furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujrave të ndotura në Bashkinë e Himarës dhe bashkinë e Vlorës.

Këto vizita i paraprijnë marrëveshjes së financimit që pritet të nënshkruhet brenda këtij viti.

Ndalesa e parë ishte Orikumi, si një zonë shumë e frekuentuar nga turistët, po që prej kohësh vuan mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm dhe ende nuk ka zgjidhje për trajtimin e ujrave të ndotura. Që prej 2015-ës ka përfunduar ndërtimi i impiantit të ujrave të ndotura, që do të trajtonte ujrat e qytezës së Orikumit dhe fshatrave Dukat, Rradhimë e Tragjas. Por ky impiant ende nuk është vënë në funksionim. Gjatë takimeve të zhvilluara nga misioni i ekspertëve të KfW dhe FSHZH me përfaqësues të Bashkisë së Orikumit dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizime të Vlorës u bë një vlerësim i situatës aktuale dhe u shqyrtuan mundësitë për të financuar vënien në funksion të impiantit në kuadër të programit FUZR IV.

Ndërkaq në takimin me Kryetarin e Bashkisë Himarë, Jorgo Goro dhe përfaqësues të Ujësjellës – Kanalizimeve të Himarës, diskutimi u përqëndrua në investimin që pritet për ndërtimin e ujësjellësit të ri dhe të impiantit të trajtimit të ujrave të ndotur të Himarës qytet dhe fshat, si dhe të fshatrave Kuç, Buronjë, Pilur, Kudhës, Vuno, Jalë, Livadh dhe Qeparo, në kuadër të FUZR IV.

Gjatë vizitave në terren misioni i ekspertëve vizitoi stacionin ekzistues të pompimit të ujërave të ndotura, vendin ku parashikohet të ndërtohet impianti I Himarës dhe stacionin e pompimit të furnizimit me ujë në Potam.

Programi “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale IV” synon përmirësimin infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve në Bashkinë Himarë dhe zonat përreth, përmes sigurimit të aksesit të qëndrueshëm në furnizimin me ujë të pijshëm për popullsinë lokale dhe turistët në zonën e projektit, me kosto sociale të pranueshme dhe tarifa që i mbulojnë kostot. Projekti do t’i japë zgjidhje të qëndrueshme edhe grumbullimit dhe trajtimit të ujrave të ndotur dhe përmirësimit të kapaciteteve menaxhuese. Nga ky projekt do të përfitojnë rreth 50,000 përfitues të drejtpërdrejtë dhe turistë që frekuentojnë zonën.