TIRANË – Rruga Mihal Komneno në Berat, e njohur ndryshe si rruga këmbësore për në Kalanë e Beratit, prej muajit Shkurt 2018 po i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë.

Ndërhyrja është pjesë e një pakete investimesh prej rreth 13.5 Milionë Euro, në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar dhe Turizmin që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton për llogari të Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore. Punimet kanë filluar në shkurt dhe deri tani është realizuar 45 përqind e volumit.

Investimi i fundit për shtrimin me kalldrëm daton në vitin 1982 dhe prej asaj kohe rruga kishte degraduar jo vetëm duke humbur funksionalitetin, por ishte kthyer në një rrezik permanent për kembësoret dhe mjetet e transportit.

 Rruga është 1.2 km e gjatë dhe ndërhyrja parashikon heqjen e kalldrëmit ekzistues, vendosjen për herë të parë të sistemit të kanalizimeve të ujrave të bardha dhe të ndotura, vendosjen e linjave të elektro-telefonisë, nënshtresat, shtrimin me kalldrëm, ndriçmin publik, kosha për hedhjen e mbeturinave, sinjalistikë dhe elemente të tjerë plotësues.

Për kalldrëmin e ri është parashikuar përdorimi i gurit të zi me origjinë nga rrethinat e Beratit, i cili do ta rikthejë rrugën në orgjinën e saj të hershme dhe do e unifikojë me kalanë, duke i dhënë një dimension të ri kulturor dhe historik.

Pas përfundimit të punimeve, “Mihal Komneno” do të shërbejë vetëm si rrugë këmbësore për në kala. Qarkullimi i mjeteve drejt kalasë do të kryhet nëpërmjet rrugës “Muzak Topia”. Punimet për këtë të fundit janë planifikuar të fillojnë gjatë verës së këtij viti.

Pjesë e paketës së investimeve për Beratin është pika panoramike Tabja dhe sheshi përpara saj, që do të rehabilitiohet tërësisht. Pika panoramike do të pajiset me mjete vrojtimi për t’u mundësuar turistëve e vizitorët të shijojnë panoramën e mrekullueshme të luginës së Osumit.

Këto investime, të kombinuara me një sërë ndërhyrjesh të tjera të cilat janë në fazë studimi, do t’i japin një hov të ri zhvillimit të turizmit në qytetin e një mbi një dritareve.