Me financim të Qeverisë Shqiptare është drejt përmbylljes një tjetër proces transformimi infrastrukturor, në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Asfaltimi i Rrajcë-Sutaj vjen si një mundësi për zonën dhe nxitjen e iniciativave agroturistike. Lidhja me Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë bën që kjo rrugë të ketë një qarkullim të konsiderueshëm dhe të kthehet në një burim mirëqënie për banorët.

Aksesi nga qendra e Komunës, për në Sutaj sjell më afër banorët drejt shërbimeve administrative. Dhe jo vetëm. Kjo zonë është e pasur në resurse turistike dhe produkte bio të cilat më së miri mund të prezantohen dhe në bujtina.

Në këtë drejtim, Deputeti i zonës z. Balla bën me dije se për ti dhënë një shtytje akoma më të madhe Agroturizmit, Qeveria Shqiptare është e angazhuar dhe shumë shpejt do të financojë/suportojë me një grant prej 5 mijë euro, cdo familje në Rrajcë e cila parashikon investim të mëvonshëm për ta kthyer shtëpinë në një bujtinë mikëpritëse për të akomoduar vizitorë vendas e të huaj.

Me një infrastrukturë tashmë komode, risjellim këtu në vëmendje gjithashtu dhe veprën e Ujësjellësit në Rrajcë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me KFW duke mundësuar ujë të pijshëm 24/7 sipas standardeve europiane bën që kjo zonë të jetë një prioritet dhe një destinacion në drejtim të turizmit familjar aventurë etj.