Më datë 24/06/2021 në ambientet e Zyrës Rajonale Shkodër të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, përfaqësues të kësaj zyre mirëpritën në një vizitë studimore z. Arbnor Sadiku Udhëheqës i Divizionit për Integrime Europiane pranë Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR) dhe znj. Rreze Duli  Drejtoreshë e Agjencisë për Zhvillim Rajonal Veri (AZHR Veri) në Kosovë.

Kjo vizitë u zhvillua me qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe përvojave me Fondin Shqiptar të Zhvillimit në Rajonin 1 (Veri), si një institucion që përfaqëson praktikat më të mira të themelimit dhe punës së agjencive zhvillimore në vendet e rajonit.

Në këtë drejtim, kjo vizitë nga përfaqësuesit e MZHR dhe AZHR do tu shërbejë në mënyrë direkte dhe në hartimin e dokumentit “Thellimi dhe avancimi i bashkëpunimit midis MZHR-së dhe AZHR-ve” që ka për rezultat fillimin e hartimit të Ligjit për Zhvillim Rajonal në Kosovë.

Bashkëpunimi ndërkufitar është një prej shtyllave kryesore të aktivitetit dhe misionit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, duke shprehur të gjithë asistencën teknike dhe administrative të tij në funksion të zhvillimit të mëtejshëm rajonal.