Bashkia Gjirokastër, si porta jugore e Shqipërisë, do të shërbejë si pol turistik për të gjithë rajonin, e nxitur nga traditat e pasura dhe trashëgimisë së shumëllojshme kulturore, në bashkëpunim me bashkitë e tjera fqinje duke formuar një aks të gjerë turistik e kulturor: Gjirokastër – Berat dhe Gjirokastër – Sarandë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me AADF (American- Albanian Development Fund)  synon të realizojë një sërë projektesh në qytetin e Gjirokastrës  për rijetëzimin dhe rritjen e atraksioneve turistike.

Projekti i radhës nga AADF (American- Albanian Development Fund), punimet e të cilit do të zhvillohen nga FSHZH është ai për “Rijetëzimin e sheshit dhe parkimin nëntokësor në Sheshin Çerçiz Topulli, në Pazarin e Vjetër të Gjirokastrës”. Së fundmi për shkak të rritjes së fluksit në zonë është rritur dhe kërkesa për hapësirë parkimi, sidomos në afërsi të zonave më të vizituara dhe destinacioneve të njohura turistike. Aktualisht në një vëzhgim të kryer parkimi publik ekzistues prej 80 autoveturash është pothuajse gjatë gjithë ditës i plotësuar dhe në orë të caktuara edhe i pamjaftueshëm, duke detyruar vizitorët të gjejnë alternativa të tjera të mundimshme në brendësi të qendrës historike. Pra, në kushtet aktuale numri i parkimeve të nevojshme duhet të jetë të paktën 120 makina ku në fundjavë edhe më tepër se 150 makina.

Ndërhyrjet e deritanishme të njeriut kanë qenë pothuajse fare në këtë zonë, që pas ndërtimit të sheshit në vitet ’60, kjo pasi ka mbetur e konservuar edhe pas viteve ’90 dhe më vonë me mbrojtjen edhe nga UNESCO. Vetë sheshi për zonën ofron një pamje të magjishme nga hyrja e qendrës historike përkundrejt lagjes Hazmurat dhe më gjerë me ndërthurjen me peizazhin e luginës së lumit Drino dhe vargmalit Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto.

Objektivi kryesor i projektit është rivitalizimi i shesheve dhe ndërtimi i parkimit nëntokësor në sheshin Çerciz Topulli, për të përmirësuar menaxhimin e rritjes së flukseve turistike, pa cënuar trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës.

Në bashkëpunim me AAFD, objektivat kryesorë të këtij projekti janë:

  • Rivitalizimi i sheshit Çerciz Topulli
  • Rivitalizimi i sheshit të Bashkisë
  • Rikonstruksioni dhe rehabilitimi i fasadës së Hotel Çajupit
  • Ndërtimi i parkimit nëntokësor në sheshin Çerçiz Topulli, në Pazarin e Vjetër të Gjirokastrës

Përmes kësaj ndërhyrje synohet rigjenerimi tërësor me investime publike restauruese i kalasë, pazarit (në proçes) shtëpive të kategorisë së parë, etj, të cilat do të rrisin gjithnjë e më shumë interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj në të ardhmen. Parkimi ndërkohë është konceptuar në 3 kate, rampa e lidhjes vertikale të saj është pozicionuar direkt, që në hyrje në mënyrë, që manovrat e tjera në shpërndarjen në kat të kryhen në normalitet. Në hyrje është pozicionuar edhe një akses kontroll, i cili do të shërbejë për kontrollin e hyrjes dhe daljes së automjeteve. Dalja në shesh bëhet me një korpus të lidhjes vertikale shkallë+ashensor të pozicionuar në orientimin Perëndimor të tij pikërisht atje ku fluksi i lëvizjes së makinave është më i ulët.

Puna e përbashkët vjen në kuadër të zhvillimit të turizmit historik e kulturor të zonës, duke lehtësuar të gjithë kushtet e qarkullimit si gjatë sezoneve të ngarkuara dhe duke ofruar një “copëz të kohëve të shkuara”, me karakter të rrallë arkitektonik të mirëruajtur në ditët e sotme.