Mirë se vini në Vuno! Nëse jeni duke pushuar në plazhet e jugut, mos e humbisni rastin të vizitoni fshatin piktoresk të Vunoit. Vendlindje të shumë figurave të shquara të historisë, letërsisë, artit e kulturës shqiptare, fshatrat janë thesare që mbeten ende të pazbuluar. Projekti “Rikualifikimi urban dhe restaurimi i objekteve në Qendrën Historike dhe Zonën e Mbrojtur në fshatrat Dhërmi dhe Vuno”, në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës, ka shndërruar plotësisht fshatrat e rivierës shqiptare. Ai është pjesë e programit të investimeve “Punët në Komunitet IV- Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe Zonës Bregdetare” që financohet nga Qeveria Shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës (CEB). Në Vuno krahas restaurimit të godinave është punuar paralelisht për ndërtimin e rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe rikonstruksionin e kalldrëmeve. Restaurimi i godinave ka nxitur banorët të bëjnë investime private në ambientet e brendshme të shtëpive të tyre, për t’i përshtatur si bujtina apo restorante për turistët.