Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Rreth Shqipërisë
Home > Rreth Shqipërisë > Rreth Shqipërisë

Rreth Shqipërisë



Shqipëria shtrihet në Evropën Juglindore, në Perëndim të Gadishullit Ballkanik, në koordinatat gjeografike: 39 16' gjatësi dhe 42 39' gjerësi. Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28.748 km2. Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km; nga të cilat: 657 km vijë kufitare tokësore , 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse e lumenjve dhe 73 km e liqeneve. Republika e Shqipërisë kufizohet në veri nga Mal i Zi, në veri-lindje nga Kosova, në lindje me Maqedoninë, dhe në jug dhe jug-lindje ajo kufizohet me Greqinë.
Në perëndim, Shqipëria laget nga deti Adriatik dhe deti Jon. Lartësia mesatare është 708 m, dmth. dy herë më e madhe se ajo e Evropës. Shqipëria përfshihet në zonën sub-tropikale me lagështirë të Hemisferës Veriore, dhe në zonën me klime mesdhetare. Kromi, hekur-nikeli, bakri, qymyrguri, nafta dhe gazi janë disa nga mineralet nëntokësore më të rëndësishme që gjenden në Shqipëri.

Klima


Në zonat bregdetare: Mesdhetare mesatare, dimër i butë dhe i lagësht, verë e nxehtë dhe e thatë.
Në zonat malore: mesatare Kontinentale, dimër i ftohtë dhe i ashpër, verë e lagësht.

Relievi


Fushor (në Shqipërinë Perëndimore), Pllajor (në Shqipërinë Lindore).
Malor (në Shqipërinë Veriore dhe Qendrore); Maja më e lartë: Mali i Korabit (2,753 m).

Vija Bregdetare


362 kilometra.

Popullsia


3,364,571 (Qershor 1999), 95% Shqiptare, 3% Greke dhe 2% të tjerë,
Shkalla e rritjes së popullsisë: 1,05% (1999).

Kryeqyteti


Tirana (nga viti 1920).

Gjuha zyrtare


Shqipja.


Gjuha shqipe është një gjuhë indo-evropiane dhe përfaqëson një degë të veçantë në familjen e gjuhëve indo-evropiane. Gjeografi grek, Ptholemeous, ka dëshmuar ekzistencën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe që në shekullin e dytë të erës sonë. Emri "Shqipëri" zëvendësoi emrin e "vjetër", "Arbëri" (ose Arbani) në fund të shekullit XVII, për shkak të kushteve të reja historike të krijuara në ketë periudhë. Ky emër kishte për qëllim t’i jepte rëndësi lidhjes ndërmjet emrit të vendit dhe gjuhës, e cila në atë kohë quhej "Shqip". Dokumenti i parë i shkruar i gjuhës bashkëkohore shqipe i përket vitit 1462. Vepra e parë letrare "Meshari" (Gjon Buzuku) u botua më 1555, dhe që nga ajo kohë gjuha shqipe është zhvilluar në dy dialekte kryesore, veçanërisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare: "Gegërisht", dmth. gjuha e folur në Veri të Shqipërisë dhe "Toskërisht", dmth. gjuha e folur në Jug të Shqipërisë.


Alfabeti i gjuhës letrare shqipe ka 36 shkronja dhe përdoret alfabeti latin, i aprovuar nga Kongresi Kombëtar i Manastirit më 1908. Gjuha shqipe (e folur dhe e shkruar) përdoret gjithashtu dhe në disa pjesë të populluara nga shqiptarë si Kosovë, Mali i Zi, Serbi dhe Maqedoni.

Ngjarje të rëndësishme historike


Territori i Shqipërisë është banuar që në lashtësi. Gjurmë të jetës janë gjetur në Xarë, si dhe në Shpellën e Shën Marinës në Sarandë që nga koha e Paleolitit të mesëm dhe të vonë (100 000 – 10 000 vjet më parë). Shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Ilirëve. Fiset ilire shtriheshin në pjesën perëndimore të Ballkanit, deri në lumenjtë Sava dhe Danub në Veri, Morava dhe Vardar në Lindje (që është dhe vija kufitare me Thrakën) dhe vargmalet e Pindit në Jug dhe Juglindje (në kufi me greket dhe maqedonasit). Zhvillimi i shpejtë ekonomik, veçanërisht ai i metalurgjisë së bronzit dhe hekurit (në shekujt XI-V para erës sonë) krijoi bazat e kulturës së përbashkët shpirtërore dhe materiale të fiseve ilire. Në fund të shekullit V p.e.s., ilirët u futën në periudhën e skllavopronarisë dhe themeluan përgjatë bregdetit qytete shumë të njohura në atë kohë, të cilat ekzistojnë dhe sot, si Durrahium (Durrësi), Apolonia, Butroti (Butrinti), Scodra (Shkodra), Lissus (Lezha), etj. Pushtimi Roman (në vitin 168 p.e.s.) pati pasoja të rënda për ilirët. Megjithatë, ata e përballuan me sukses politikën asimiluese të romanëve, kryesisht si rrjedhojë e standardeve të larta të zhvillimit dhe identitetit të kristalizuar etnik.
Pas thyerjes së romanëve në vitin 395 të erës sonë, Iliria mbeti nën sundimin e Perandorisë Bizantine. Në periudhën pasuese, Iliria u pushtua nga fise të ndryshme barbare, si Gothet, Avaret etj. Në shekujt IV - VI, sllavët pushtuan një pjesë të Ilirisë Veriore dhe Lindore dhe Maqedonia pushtoi pjesë të cilat më vonë u asimiluan. Fundi i mijëvjeçarit të parë shënon kristalizimin e kombit shqiptar. Më vonë, formacionet politike shqiptare të shekullit XIV mbuluan territoret nga Tivari dhe Prizreni deri në Kostur dhe Vlorë. Ndërkohë, në zona të pjesës jugore ruhej ende emri historik i Epirit, i cili në vitet pasardhëse shërbeu si sinonim për Arbërinë (shumë shpesh, Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu (1405-1468) quhej "Princi i Epirit"). Pushtimi otoman (XIV) vendosi sistemin feudal ushtarak në Arbëri (Shqipëri), por kryengritjet e një pas njëshme të princërve shqiptarë përgatitën rezistencën e madhërishme të popullit shqiptar, nën udhëheqjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, i njohur me emrin Skënderbe. Gjergj Kastrioti Skënderbeu arriti të krijonte një shtet të centralizuar (Arbëria) dhe flamuri i tij u bë flamuri kombëtar i Shqipërisë. Shekulli XVIII shënon lulëzimin e dy "Pashallëqeve" të organizuara dhe shumë të fuqishme: Pashallëku i Bushatllinjve (me qendrën e tij në Shkodër dhe i qeverisur nga Karamahmut Pashë Bushatlliu); dhe Pashallëku i Janinës (me qendrën e tij në Janinë dhe i qeverisur nga Ali Pashë Tepelena). Lufta për pavarësi dhe identitet kombëtar arriti kulmin e saj me Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, e cila filloi më 1830. Më 1878, kjo lëvizje u organizua më mirë pas Lidhjes së Prizrenit, e cila shërbeu si udhëheqja e parë ushtarake dhe politike e kryengritjeve shqiptare. Por, për fat të keq, në të njëjtin vit Kongresi i Berlinit vendosi ndarjen e territoreve shqiptare, nga e cila përfituan shtetet fqinje, Mali i zi, Serbia dhe Greqia. Megjithatë, lëvizja shqiptare për liri u kurorëzua me Shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912.
Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u shndërrua në një betejë lufte për fuqitë ndërluftuese dhe u pushtua nga Italia, Serbia, Mali i Zi, Greqia, Franca dhe Austro-Hungaria. Më 1920, Kongresi i Lushnjës (një qytet që ndodhet 90 km në jug të Tiranës), shpalli Tiranën si kryeqytet të Shqipërisë me konsensusin e përfaqësuesve nga e gjithë Shqipëria. Më 21 janar 1925, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë Republikë Parlamentare dhe Ahmet Zogu u zgjodh President i Shqipërisë. Por ai pati shumë pushtet, dhe Republika funksiononte më tepër si Republike Presidenciale. Më 1 shtator 1928, Shqipëria u shpall Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqipërisë, duke marrë titullin mbretëror "Zogu I". Më 7 prill 1939, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë dhe si rrjedhim, e ashtuquajtura Asamble Kushtetuese shpalli fundin e Mbretërisë së Zogut dhe ia ofroi kurorën Viktor Emanuelit III. Shteti Shqiptar mbeti formalisht Mbretëri Kushtetuese nën sundimin e Dinastisë së Savojës. Më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazi-fashistë. Që nga ajo kohë, në Shqipëri sundoi regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili ndikoi në izolimin e vendit. Më 11 janar 1946, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore, si një nga format e diktaturës së proletariatit, e cila zgjati pothuajse gjysëm shekulli, deri më 29 prill 1991, kur Parlamenti i parë pluralist shpalli Republikën Parlamentare të Shqipërisë.

Sistemi Politik


Republikë Parlamentare. Parlamenti shqiptar është parlament me një dhome dhe 140 deputetë, te cilët zgjidhen një herë në katër vjet me zgjedhje të përgjithshme.

Presidenti i Republikës


Z. Bujar Nishani, i zgjedhur nga Kuvendi në 24 korrik 2012 për një periudhë pesë-vjeçare.

Kryetari i Këshillit të Ministrave


Z. Edi Rama (Partia Socialiste).

Kushtetuta


Kushtetuta e re e Republikës së Shqipërisë është aprovuar me referendum popullor me 28 nëntor 1998.

Festa Kombëtare


28 nëntor (Dita e Flamurit).

Flamuri


Flamuri kombëtar i Republikës së Shqipërisë paraqitet me një shqiponjë të zezë me dy kokë dhe me krahë të hapura, të vendosur në qendër të një sfondi të kuq.

Emblema


Emblema e Republikës së Shqipërisë paraqitet me një shqiponje të zezë, të vendosur në një mburojë të kuqe të tipit "variaz". Mburoja e kuqe rrethohet nga një shirit i zi. Në pjesën e sipërme, me të kuqe është shkruar Republika e Shqipërisë.

Ekonomia


Ekonomia shqiptare konsiderohet si Ekonomi e Tregut në tranzicion. Sektori privat zë pjesën më të madhe te GDP-së. Në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë për vitet 2000-2003. Vlen të përmenden reforma e përgjithshme strukturore sipas standardeve të vendeve me ekonomi tregu të fortë, privatizimi i sektorëve strategjikë, dhe stabilizimi i treguesve makro-ekonomike me qëllim kryesor rritjen e investimeve nëpërmjet zbatimit të Programit Publik të Investimeve dhe thithjen e Investimeve të Drejtpërdrejta të Huaja. Bashkëpunimi i ngushtë me organizatat ndërkombëtare si: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, EBDR etj. përbejnë garanci për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe përfundimin e fazës së tranzicionit. Ndërkohe, implementimi i Paktit të Stabilitetit përbën një nga angazhimet e Qeverisë për zhvillimin social-ekonomik të vendit me qellim kryesor integrimin në Strukturat Euro-Atlantike.

Pasuritë Natyrore


Pasuri nëntokësore (Nafte, gaz natyror, krom, qymyrguri, hekur-nikel, xeherorë, mermer); Burime të konsiderueshme hidrike; Zona të konsiderueshme me pyje dhe kullota (rreth 38% e territorit të vendit). Burime të pashfrytëzuara në fushat e Turizmit Blu, të Gjelbër dhe të Bardhë.

TURIZMI


Shqipëria dëshiron të zhvillojë industrinë e turizmit, e cila siguron punësim dhe përfitime ekonomike. Turizmi cilësor është i rëndësishëm për Shqipërinë. Natyra dhe ekologjia e vendit do të lejojë zhvillimin e mundshëm të të gjitha llojeve të turizmit, veçanërisht zhvillimin e turizmit të mesëm, të lartë dhe elitar.


ZONAT PRIORITARE TË TURIZMIT. Ka dy zona kryesore për zhvillimin e turizmit: ZONA BREGDETARE, kryesisht zona midis Velipojës në veri dhe Karavastasë në qendër dhe zona nga Gjiri i Vlorës dhe bregdeti jonian deri në kufirin grek në jug. ZONA E BRENDSHME, kryesisht zonat pranë liqeneve dhe lumenjve. Projektet në këto zona monitorohen nga Ministria e Turizmit dhe e Rregullimit të Territorit. Sipas strategjisë së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, parashikohet që të shtohen rreth 100 000 shtretër deri në vitin 2010.


Idetë për Investime
- Peshkimi dhe Gjuetia.
- Qendrat kulturore për festivale muzike dhe folklorike.
- Zonat turistike, hotelet, fshatrat turistike dhe qendrat e konferencave.
- Qendrat e kampingjeve në zonat malore.
- Vizitat në zonat arkeologjike.
- Mundësitë për të udhëtuar me anije dhe jahte.
- Qendra golfi dhe tenisi.
- Krijimi i zonave turistike malore dhe pranë liqeneve, veçanërisht në zonën perëndimore dhe jugore të vendit.


Gjatë viteve të ardhshme do të zhvillohet një infrastrukturë e përshtatshme në bashkëpunim me investitorët.


Në afërsi të Vlorës ndodhet një nga zonat më të bukura në Shqipëri. Bregdeti Llogara-Qeparo ka një plazh të pastër, ujë të pastër si dhe male e pemë ullinjsh në afërsi të tyre. Pas zhvillimit, në këtë zonë mund të pushojnë 6 150 persona, pa përfshirë këtu vizitorët e ditës. Rreth 4 650 persona mund të qëndrojnë në komplekset e akomodimit dhe të tjerët në hotele më të vogla. Komplekset e hoteleve në Palasë do të kenë 1 300 dhoma, ndërsa në Dhërmi rreth 300 të tilla. Në zonën e Jalës dhe Vunoit do të ketë 210 dhoma, ndërsa në Himarë 350.


Në zonën e Qeparosë do të ketë 320 dhoma, por menaxherët planifikojnë një kalim gradual të turizmit sipas kërkesave të banorëve. Projekti do të ketë edhe mundësi të tjera për turistët krahas banjos së diellit dhe notit në plazh. Turistët do të kenë mundësi të vizitojnë fshatrat përreth, të provojnë gatimet dhe pijet karakteristike në restorante. Në zonat si Palasa, Dhërmiu, Ilias, Vunoi, Himara, Piluri, Kudhësi dhe Qeparoja do të ketë mundësi më të mira akomodimi. Në procesin e ndërtimit të strukturave të plota turistike përfshi këtu edhe zhvillimin e qendrave të golfit, tenisit, diskove, pishinave dhe kazinove parashikohet edhe rindërtimi i portit të Himarës me një kosto minimale prej të paktën 1-2 milionë dollarësh, ku do të ankorohen anije të mëdha. Alternativa tjetër për të shkuar në Himarë do të jetë nga ajri, nëpërmjet ndërtimit të aeroporteve në Sarandë, Vlorë apo Gjirokastër. Zona është e pasur me ullinj, portokalle, mjaltë dhe burime natyrore. Në të njëjtën kohë, natyra e mrekullueshme, flora dhe fauna krijojnë bazat për zhvillimin e turizmit në veri të Shqipërisë. Thethi, Lura, liqenet, Alpet, veçanërisht fshati Valbonë, në rrethin e Tropojës, si dhe një sërë vendesh piktoreske janë shumë tërheqëse për turistët.


ZONAT MË TË RËNDËSISHME ARKEOLOGJIKE:


BUTRINTI. Një rrugë e ngushtë e këndshme me pamje nga deti të çon drejt Butrintit përmes plantacioneve të ullinjve dhe pemëve të portokalleve. Butrinti ndodhet 15 kilometra në jug të Sarandës. Qyteti i lashtë i Butrintit, i shpallur nga UNESKO pasuri ndërkombëtare, banohej në kohët e hershme nga ilirët. Qyteti i lashtë i Butrintit preferohet të vizitohet si qendër arkeologjike, ku antikiteti dhe bukuria ndërthuren me njëra-tjetra. Gërmimet arkeologjike tregojnë se Butrinti ka qenë një zonë e rëndësishme e kaonëve ilirë, një ndër fiset më të mëdha të Ilirisë. Sipas zbulimeve të bëra në këtë zonë, është vërtetuar se zona ishte populluar që në periudhën paleolitike. Në shekullin e gjashtë para Krishtit grekët e Korfuzit u vendosën në këtë zonë, krahas ilirëve dhe kolonia e re eci përpara si rezultat i tregtisë. Në shekullin e pestë para Krishtit, Butrinti ishte një qytet i fortifikuar. Në shekullin e katërt ra nën sundimin e Epirit, ndërsa në vitit 167 para Krishtit ra nën regjimin romak. Në shekullin e dhjetë ai ishte selia e një kishe bizantine. Butrinti u mor nga normanët në shekullin e 11-të dhe i kaloi Venedikut nga viti 1690 deri në vitin 1797 kur u mor nga Ali Pashë Tepelena. Me rënien e Pashallëkut të Janinës në vitin 1822, Butrinti i kaloi regjimit osman deri në vitin 1913. Disa gërmime që datojnë në shekullin e parë dhe të katërt pas Krishtit mund të vizitohen tashmë mes të cilëve; amfiteatri i vjetër, tempulli i Asklepios apo Asekulapius, muret e qytetit të vjetër, Baptisteri, Nymfaeumi, etj.


APOLLONIA. Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Apollonia u zbulua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Por, gjurmët e para të pranisë së tyre në këtë vend i përkasin vitit 588. Gjatë viteve të para të ekzistencës së saj, Apollonia ruajti kontaktet me Korintin dhe Korkyrën si dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Apollonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aos (Vjosë). Me interes të madh këtu janë muri rrethues, monumenti i Agonetit, Biblioteka, Odeoni, Portiku, shtëpia e mozaikëve, muzeu i Apollonisë, Kisha e Shën Mërisë. Fatkeqësisht, disa nga objektet arkeologjike dhe statujat u përvetësuan nga vendet e tjera para vitit 1945. Ato që kanë mbetur janë vendosur në një muze që ndodhet në një manastir të shekullit 13-të. Në kopshtin e manastirit ndodhet edhe një kishë që i përket shekullit te 14-të. Të huajve që janë të interesuar për kërkime arkeologjike në Shqipëri u duhet shumë më tepër kohë për të eksploruar gjurmët e hershme të popullimit të territoreve shqiptare, që janë zbuluar në Arë të Sarandës dhe Gajtan të Shkodrës, që i përkasin periudhës se paleolitit, 100 000 vjet më parë, ndërsa në periudhën e Neolitit 7 000-3 000 vjet para Krishtit përfshihen zbulimet në Dunavec dhe Maliq të Korçës. Zona të tjera arkeologjike që mund të vizitohen në Shqipëri janë: Amantia, Bylisi, Antigonea, Albanopoli, Selca e Poshtme, Lisi.


AMANTIA. Emri i saj u përmend për herë të parë në shekullin e 4-t para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e 3-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit.


BYLIS. Ishte qendra e fisit ilir, Bylis dhe një nga qytetet më të mëdha dhe më të rëndësishme ilire të zhvilluara gjatë shekullit të 4-t para Krishtit. Gjatë shekullit të 3-të para Krishtit u ndërtua teatri, stadiumi etj. Në shekullin e parë pas Krishtit u bë koloni romake, ndërsa gjatë shekullit të pestë dhe të gjashtë u bë qendër dioqeze, që u vërtetua nga zbulimi i gjashtë bazilikave dyshemetë e të cilave kanë mozaikë me motive romake.


ANTIGONEA është një qytet i zbuluar në shekullin e 3-të para Krishtit.


ALBANOPOLI. Ndodhet në një kodër në afërsi të fshatit Zgërdhesh të Krujës. Qyteti ishte qendra e fisit ilir, albanët, që jetuan aty në shekullin e dytë dhe të tretë pas Krishtit. Nga emri i këtij fisi ilir vjen edhe emri i vendit, Shqipëri.


SELCA E POSHTME. Rrënoja të qyteteve ilire të shekullit të 4-t dhe të 3-të. Në fillim të shekullit të 3-të para Krishtit, ajo u bë qendra e rajonit të Ilirisë, Dasaretias.


LISI. Një qytet i themeluar në shekullin e 4-t para Krishtit. Muret e tij rrethues gjatë shekullit të 3-të dhe të 2-të P.K e ndanin atë në tre zona Akropoli, Qendra dhe Periferia e qytetit, të cilat shtriheshin përgjatë lumit Drin. Muret e tij, 12 portat dhe kullat e shumta janë të ruajtura mjaft mirë.


Marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme