Rreth FSHZH-së
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) është një agjenci publike e cila
ka për mision nxitjen e një zhvillimi ekonomik dhe social të qëndrueshëm,
të balancuar dhe koheziv në nivel rajonal dhe lokal.
FSHZH është krijuar në fillim të vitit 1993, mbi bazën
e marrëveshjes midis Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore.
Me datë 11 maj 2009, Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare
miratoi Ligjin Nr. 10130 dt.11.5.2009 "Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit" që i përcakton këtij institucioni një status
të veçantë ligjor.
Objektivat kryesore të FSHZH janë:
- përmirësimi i infrastrukturës social-ekonomike vendore;
- përmirësimi i shërbimeve publike vendore;
- forcimi institucional i njësive të qeverisjes vendore;
- nxitja e qeverisjes së mirë në nivel vendor.
Kompetencat kryesore të FSHZH-së përfshijnë:
1. Menaxhimin e projekteve të financuara nga Qeveria Shqiptare dhe/ose donatorë
të ndryshëm, që kanë si qëllim zhvillimin rajonal dhe vendor;
2. Dhënien e mbështetjes financiare në të gjitha format, si
grant, hua, garanci etj. për njësitë e pushtetit vendor, për
përmirësimin e infrastrukturës social-ekonomike dhe të shërbimeve
publike vendore;
3. Dhënien e mbështetjes teknike për zbatimin, ndjekjen dhe mbikëqyrjen
e investimeve, për përmirësimin e infrastrukturës social-ekonomike
dhe të shërbimeve publike vendore;
4. Dhënien e asistencës teknike dhe kryerjen e trajnimeve, për rritjen
e kapaciteteve institucionale të pushtetit vendor;
5. Kryerjen e veprimtarive të ndryshme, në funksion të zbatimit të
politikave e të instrumenteve të zhvillimit rajonal dhe vendor.