Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Rreth Nesh
Home > Rreth nesh > Partnerët

Partnerët

Fondi Shqiptar i Zhvillimit në zbatimin e misionit të tij si një agjenci zhvillimi ka pasur besimin, bashkëpunimin dhe partneritetin e organizmave të mëdhenj financiarë ndërkombëtarë të cilët kanë kontribuar jo vetëm duke ofruar mbështetjen financiare por duke transmetuar edhe njohuritë dhe praktikat e tyre më të mira për zbatimin e projekteve të infrastrukturës me financim ndërkombëtar.

Banka Botërore
Banka Botërore, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria që nga viti 1991, ka si objektiv tu ofrojë asistencë teknike dhe financiare vendeve në zhvillim. Misioni i Bankës është të luftojë varfërinë me vendosmëri dhe profesionalizëm për rezultate të qëndrueshme, dhe ti mbështesë njerëzit që të ndihmojnë vetveten dhe mjedisin e tyre duke ofruar resurset, shkëmbimin e përvojave, ndërtimin e kapaciteteve dhe forcimin e partneritetit në sektorin privat dhe publik.
Bashkëpunimi i Bankës Botërore me FSHZH-në ka filluar në vitin 1993 me Projektin e Lehtësimit të Varfërisë Rurale.
(Për me tepër shih:Banka Botërore)
Banka e Këshillit të Evropës,
Banka e Këshillit të Evropës, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria që në Qershor të vitit 1999, është një bankë multilaterale për zhvillim me një mision social. E themeluar me 16 Prill 1956 për të ofruar zgjidhje problemeve të refugjatëve, fusha e veprimit të kësaj banke është zgjeruar në mënyrë progresive duke përfshirë sektorë të tjerë të cilët kontribuojnë drejtpërdrejtë në forcimin e kohezionit social në Evrope. Bashkëpunimi i Bankës së Këshillit të Evropës me FSHZH-në filloi në vitin 1999 me Projektin Punët në Komunitet I. CEB ka bashkë-financuar gjithashtu edhe Projektet “PK II & III”, “Punët në Komunitet III”, dhe Programin “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”.
Fondi Norvegjez për Vendet e Ballkanit Perëndimor
Me një Marrëveshje të nënshkruar më 19 prill 2004 dhe Marrëveshjeve të tjera Plotësuese, CEB dhe Mbretëria e Norvegjisë kanë rënë dakord për të ngritur një Fond nën administrimin e CEB me qëllim financimin e aktiviteteve të ndryshme të projekteve që mbështesin reformat sociale dhe ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i ndihmuar këto vende të përgatiten për anëtarësimin e mundshëm në BE. Pjesë e rëndësishme e partneritetit me CEB ka qenë dhe kontributi financiar i dhënë nga Norway Trust Account nëpërmjet të cilit janë financuar asistenca teknike dhe ngritja e kapaciteteve për Projektin “Punët në Komunitet III”, dhe asistenca teknike për monitorimin dhe vlerësimin e Programit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale.
(Për me tepër shih: Banka e Këshillit të Evropës)
Banka Islamike për Zhvillim
Banka Islamike për Zhvillim është një institucion financiar multilateral për zhvillim me qendër në Jedahh, Arabi Saudite, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria që nga viti 1993. E themeluar në 1975 kjo bankë numëron 56 vende anëtare dhe synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe progresin social të vendeve anëtare.
(Për me tepër shih:Banka Islamike për Zhvillim)
Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Rural
Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Rural (IFAD) punon me njerëzit e varfër të zonave rurale në mënyrë që t’u ofrojë atyre mundësinë të prodhojnë dhe shesin sa më shumë produkte për të rritur të ardhurat e tyre dhe për të përcaktuar drejtimin e jetës së tyre. IFAD është një institucion financiar ndërkombëtar dhe një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara me qendër në Romë.
Bashkëpunimi i Fondit Shqiptar me Bankën Islamike dhe IFAD filloi në vitin 1994 me Projektin e Zhvillimit Rural të Zonave Verilindore.
(Për me tepër shih:Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Rural)
Grupi Bankar KFW
Grupi Bankar KFW është një bankë zhvillimi në pronësi të qeverisë Gjermane (Republika Federale dhe shtetet Federale) me qendër në Frankfurt. KFW nxit zhvillimin ekonomik, social dhe ekologjik në mbarë botën. Kjo bankë u formua në vitin 1948 pas Luftës së dytë Botërore si pjesë e Planit Marshall. KfW zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane ka angazhuar një shumë totale prej 850 Milion Euro për projekte investimesh në gjithë Shqipërinë nga të cilat më shumë se 50% janë dhënë në kuadër të Bashkëpunimit Financiar që implementohet nga KFW.
Bashkëpunimi i Fondit Shqiptar me KFW filloi në vitin 1999 me Projektin e Investimeve Sociale I.
(Për me tepër shih:Grupi Bankar KFW)
Banka Evropiane e Investimeve
Banka Evropiane e Investimeve është Banka e Bashkimit Evropian. E themeluar në vitin 1958 sipas Traktatit të Romës, ajo operon në 27 vende anëtare të BE dhe është aktive në më shumë se 130 vende të tjera. BEI kontribuon në realizimin e objektivave të Bashkimit Evropian duke akorduar financime afatgjata për investime të qëndrueshme.Përveç projekteve që mbështesin Vendet Anëtare të BE, prioritetet kryesore huadhënëse përfshijnë edhe financimin e investimeve për vendet e ardhshme anëtare të BE.
BEI operon në Shqipëri që nga viti 1995 dhe deri më sot aktiviteti i përgjithshëm financiar arrin në 350 milionë euro.
Bashkëpunimi i FSHZH me BEI filloi me Projektin e Rrugëve Dytësore dhe Lokale.
(Për me tepër shih:Banka Evropiane e Investimeve)
Bashkimi Evropian
Bashkimi Evropian është një bashkim ekonomik e politik i 27 vendeve anëtare me qendër në Evropë. Duke pasë si synim integrimin rajonal, Bashkimi Evropian (BE) u themelua nga Traktati i Mastritit në vitin 1993 mbi bazën e Komuniteteve Evropiane. Bashkimi Evropian e ka origjinën nga Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Celikut i themeluar në vitin 1951 dhe në Traktatin e Romës të vitit 1957 ku pjesëmarrës ishin të njëjtët shtete.
Bashkëpunimi i Fondit Shqiptar me Komunitetin Evropian filloi në vitin 1992 me Projektin e Lehtësimit të Varfërisë Rurale.
(Për me tepër shih:Bashkimi Evropian)
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), anëtare e së cilës është edhe Shqipëria që nga viti 1991, është themeluar në vitin 1991. Roli i kësaj banke është të favorizojë tranzicionin drejt një ekonomie tregu në 29 vende të Evropës dhe Azisë Qendrore të cilat angazhohen të respektojnë vënien në praktikë të pluralizmit, ekonomisë së tregut si dhe të nxisin iniciativën private dhe frymën e ndërmarrjes.
Bashkëpunimi i Fondit Shqiptar me BERZH filloi në vitin 2008 me Projektin e Rrugëve Dytësore dhe Lokale.
(Për me tepër shih:Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim)
Fondi i OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar
Fondi i OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, (OPEC Fund for International Development, OFID) është një institut financiar multilateral zhvillimi i formuar ne vitin 1976 nga vendet anëtare të Organizatës së Vendeve që Eksportojnë Nafte (Organization of the Petroleum Exporting Countries ,OPEC). Objektiv i këtij organizmi është forcimi i kooperimit financiar midis vendeve anëtare të OPEC dhe vendeve të tjera në zhvillim, duke ofruar mbështetje financiare për zhvillimin e tyre socio-ekonomik.
Bashkëpunimi i Fondit Shqiptar me OFID filloi në vitin 2008 me Projektin e Rrugëve Dytësore dhe Lokale.
(Për me tepër shih:Fondi i OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar )
Partnerë të tjerë të FSHZH-së janë:
  • Qeveria Italiane
  • Qeveria Zvicerane
  • Qeveria Franceze
  • Qeveria Japoneze