|
|
Partnerët
Fondi Shqiptar i Zhvillimit në zbatimin e misionit të tij si një
agjenci zhvillimi ka pasur besimin, bashkëpunimin dhe partneritetin e organizmave
të mëdhenj financiarë ndërkombëtarë të cilët
kanë kontribuar jo vetëm duke ofruar mbështetjen financiare por duke
transmetuar edhe njohuritë dhe praktikat e tyre më të mira për
zbatimin e projekteve të infrastrukturës me financim ndërkombëtar.
Banka Botërore
Banka Botërore, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria
që nga viti 1991, ka si objektiv tu ofrojë asistencë teknike dhe
financiare vendeve në zhvillim. Misioni i Bankës është të
luftojë varfërinë me vendosmëri dhe profesionalizëm për
rezultate të qëndrueshme, dhe ti mbështesë njerëzit që
të ndihmojnë vetveten dhe mjedisin e tyre duke ofruar resurset, shkëmbimin
e përvojave, ndërtimin e kapaciteteve dhe forcimin e partneritetit në
sektorin privat dhe publik.
Bashkëpunimi i Bankës Botërore me FSHZH-në ka filluar në
vitin 1993 me Projektin e Lehtësimit të Varfërisë Rurale.
(Për me tepër shih: Banka Botërore)
Banka e Këshillit të Evropës,
Banka e Këshillit të Evropës, anëtare e së cilës është
edhe Shqipëria që në Qershor të vitit 1999, është
një bankë multilaterale për zhvillim me një mision social. E
themeluar me 16 Prill 1956 për të ofruar zgjidhje problemeve të refugjatëve,
fusha e veprimit të kësaj banke është zgjeruar në mënyrë
progresive duke përfshirë sektorë të tjerë të cilët
kontribuojnë drejtpërdrejtë në forcimin e kohezionit social
në Evrope. Bashkëpunimi i Bankës së Këshillit të Evropës
me FSHZH-në filloi në vitin 1999 me Projektin Punët në Komunitet
I.
(Për me tepër shih: Banka e Këshillit
të Evropës)
Banka Islamike për Zhvillim
Banka Islamike për Zhvillim është një institucion financiar
multilateral për zhvillim me qendër në Jedahh, Arabi Saudite, anëtare
e së cilës është edhe Shqipëria që nga viti 1993.
E themeluar në 1975 kjo bankë numëron 56 vende anëtare dhe synon
të nxisë zhvillimin ekonomik dhe progresin social të vendeve anëtare.
(Për me tepër shih: Banka Islamike për
Zhvillim)
Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Rural
Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Rural (IFAD) punon me njerëzit
e varfër të zonave rurale në mënyrë që t’u ofrojë
atyre mundësinë të prodhojnë dhe shesin sa më shumë
produkte për të rritur të ardhurat e tyre dhe për të përcaktuar
drejtimin e jetës së tyre. IFAD është një institucion financiar
ndërkombëtar dhe një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara
me qendër në Romë.
Bashkëpunimi i Fondit Shqiptar me Bankën Islamike dhe IFAD filloi në
vitin 1994 me Projektin e Zhvillimit Rural të Zonave Verilindore.
(Për me tepër shih: Fondi Ndërkombëtar
për Zhvillimin Rural)
Grupi Bankar KFW
Grupi Bankar KFW është një bankë zhvillimi në pronësi
të qeverisë Gjermane (Republika Federale dhe shtetet Federale) me qendër
në Frankfurt. KFW nxit zhvillimin ekonomik, social dhe ekologjik në mbarë
botën. Kjo bankë u formua në vitin 1948 pas Luftës së dytë
Botërore si pjesë e Planit Marshall. KfW zbaton bashkëpunimin financiar
dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë
dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi
Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane
ka angazhuar një shumë totale prej 850 Milion Euro për projekte investimesh
në gjithë Shqipërinë nga të cilat më shumë se
50% janë dhënë në kuadër të Bashkëpunimit Financiar
që implementohet nga KFW.
Bashkëpunimi i Fondit Shqiptar me KFW filloi në vitin 1999 me Projektin
e Investimeve Sociale I.
(Për me tepër shih: Grupi Bankar KFW)
Banka Evropiane e Investimeve
Banka Evropiane e Investimeve është Banka e Bashkimit Evropian. E themeluar
në vitin 1958 sipas Traktatit të Romës, ajo operon në 27 vende
anëtare të BE dhe është aktive në më shumë se
130 vende të tjera. BEI kontribuon në realizimin e objektivave të
Bashkimit Evropian duke akorduar financime afatgjata për investime të
qëndrueshme.Përveç projekteve që mbështesin Vendet Anëtare
të BE, prioritetet kryesore huadhënëse përfshijnë edhe financimin
e investimeve për vendet e ardhshme anëtare të BE.
BEI operon në Shqipëri që nga viti 1995 dhe deri më sot aktiviteti
i përgjithshëm financiar arrin në 350 milionë euro.
Bashkëpunimi i FSHZH me BEI filloi me Projektin e Rrugëve Dytësore
dhe Lokale.
(Për me tepër shih: Banka Evropiane e Investimeve)
Bashkimi Evropian
Bashkimi Evropian është një bashkim ekonomik e politik i 27 vendeve
anëtare me qendër në Evropë. Duke pasë si synim integrimin
rajonal, Bashkimi Evropian (BE) u themelua nga Traktati i Mastritit në vitin
1993 mbi bazën e Komuniteteve Evropiane. Bashkimi Evropian e ka origjinën
nga Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Celikut i themeluar në vitin 1951 dhe
në Traktatin e Romës të vitit 1957 ku pjesëmarrës ishin
të njëjtët shtete.
Bashkëpunimi i Fondit Shqiptar me Komunitetin Evropian filloi në vitin
1992 me Projektin e Lehtësimit të Varfërisë Rurale.
(Për me tepër shih: Bashkimi Evropian)
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), anëtare e së
cilës është edhe Shqipëria që nga viti 1991, është
themeluar në vitin 1991. Roli i kësaj banke është të favorizojë
tranzicionin drejt një ekonomie tregu në 29 vende të Evropës
dhe Azisë Qendrore të cilat angazhohen të respektojnë vënien
në praktikë të pluralizmit, ekonomisë së tregut si dhe
të nxisin iniciativën private dhe frymën e ndërmarrjes.
Bashkëpunimi i Fondit Shqiptar me BERZH filloi në vitin 2008 me Projektin
e Rrugëve Dytësore dhe Lokale.
(Për me tepër shih: Banka Evropiane për
Rindërtim dhe Zhvillim)
Fondi i OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar
Fondi i OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, (OPEC Fund for International
Development, OFID) është një institut financiar multilateral zhvillimi
i formuar ne vitin 1976 nga vendet anëtare të Organizatës së
Vendeve që Eksportojnë Nafte (Organization of the Petroleum Exporting
Countries ,OPEC). Objektiv i këtij organizmi është forcimi i kooperimit
financiar midis vendeve anëtare të OPEC dhe vendeve të tjera në
zhvillim, duke ofruar mbështetje financiare për zhvillimin e tyre socio-ekonomik.
Bashkëpunimi i Fondit Shqiptar me OFID filloi në vitin 2008 me Projektin
e Rrugëve Dytësore dhe Lokale.
(Për me tepër shih: Fondi i OPEC për
Zhvillim Ndërkombëtar )
Partnerë të tjerë të FSHZH-së janë:
- Qeveria Italiane
- Qeveria Zvicerane
- Qeveria Franceze
- Qeveria Japoneze
|
|