|
|
Faqja Kryesore > Info dhe Lajme > Lajme
Tiranë, më 24 Qershor 2011Kryeministri Berisha përuron përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e segmentit rrugor “Rruga Nacionale-Kala Prezë”.
Ditën e premte, më 24 Qershor 2011, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të
punimeve për rikonstruksionin e segmentit rrugor “Rruga Nacionale–Kala Prezë”. Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin
gjithashtu edhe Z. Keltis Kruja, Prefekti i Tiranës, Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit,
Kryetari i Komunës Prezë, deputë të zonës, si dhe banorë të fshatit Prezë.
Në fjalën e tij përshëndetëse Z. Berisha e vuri theksin mbi potencialet turistike të Shqipërisë:
“Shqipëria këtë vit vjen si destinacioni më i bukur, më kryesor turistik. Shqipëria ka potenciale të
jashtëzakonshme, ka brigjet më të bukura, ujërat më të shkëlqyera, malet më të virgjëra , por mbi të gjitha
ka banorët e saj, me një mikpritje të pashoqe në Europë dhe në Botë. Ndaj dhe le të shpalosim ne të gjithë
mikpritjen tonë, të gjitha bukuritë e mëdha natyrore që kemi, pasuritë kulturore dhe do të bëhemi gjithnjë
e më të njohur, më të famshëm, më me emër të mirë në Europë dhe në Botë, si destinacioni turistik… ”
Rikonstruksioni i segmenti rrugor që lidh rrugën Nacionale me qendrën e komunës dhe Kalanë Prezë u financua
nga Banka Për Zhvillim e Këshillit të Europës dhe Qeveria Shqiptare në vlerën 176 milionë lekë. Rruga e re me
gjatësi 3.2 km dhe gjerësi prej 5 metrash është e pajisur më bankina për këmbësorët, barriera mbrojtëse
metalike dhe me mur guri, sistem ndriçimi gjatë gjithë gjatësisë së rrugës si dhe me sinjalistikë rrugore horizontale e vertikale.
Përveç impaktit të drejtëpërdrejtë që do të ketë në lehtësimin e kushteve të transportit për 7000 banorët e fshatrave
Prezë, Palaq si dhe Ahmetaq, Fushë Prezë dhe Gjec Kodër, ky rikonstruksion do të kontribuojë edhe në zhvillimin e
turizmit si pasojë e shtimit të numrit të vizitorëve dhe të bizneseve të vogla. Vizitorët vendas dhe të huaj të
interesuar për turizmin kulturor do të mund të vizitojnë në kushte komode Kalanë e Prezës e cila me pozicionin e saj
të favorshëm mbi një kodër ofron një pamje panoramike të qytetit të Tiranës. Kjo Kala që është shpallur monument
kulture filloi të ndërtohet shekullin e 14-të dhe i përkiste familjes feudale të Topiajve. Në qoshet e saj kalaja ka
katër kulla rrethore, ku njëra nga këto, ajo e Sahatit mendohet se është ngritur rreth viteve 1800 - 1850.
Rikonstruksioni i kësaj rruge u zbatua në kuadër të Programit “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale” i
bashkëfinancuar nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë në një vlerë prej rreth 400 milion USD. Ky program i cili
implementohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon të rrisë përpjekjet konkrete për përmirësimin e infrastrukturës
në vend si edhe për rritjen e aksesit ndaj shërbimeve bazë dhe tregjeve, veçanërisht në zonat rurale nëpërmjet
rehabilitimit të rreth 1500 km rrugë.
|
|


