Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

12 Qershor, 2018

Zhvillimi i integruar urban Berat – Përmet, fillon puna për detajimin e paketës së investimeve


TIRANË - Ka filluar puna për detajimin e programit të investimeve për zhvillimin e integruar urban të Beratit dhe Përmetit. Objektivi kryesor i këtij programi investimi është zhvillimi i ekonomisë lokale dhe përmirësimi i kushteve të jetesës nëpërmjet investimeve në qendra urbane me interes kulturor dhe natyror për një kontribut të rëndësishëm për fuqizimin e sektorit të turizmit.



Në kuadër të “Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin”, financuar nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në rolin e agjencisë zbatuese po koordinon punën e një prej konsulencave më të mëdha që do të hartojë një plan investimesh konkrete në këto dy qytete. Një bashkëpunim i ngushtë me bashkitë e Beratit dhe Përmetit, si përfituesit kryesorë të këtyre investimeve që do të shoqërojë procesin e kësaj konsulence.


Programi i investimeve do të përfshijë rigjenerimin dhe krijimin e hapësirave publike të gjelbra dhe multifunksionale, qarkullim më të mirë të këmbësorëve, biçikletave dhe përmirësimin e infrastrukturës urbane për qytetarët dhe vizitorët. Nga rigjenerimi dhe restaurimi i lagjeve historike, përmirësimi i rrjetit infrastrukturor dhe sistemet e furnizimit me ujë, përmirësimi urban, e deri te restaurimi i godinave të trashëgimisë kulturore, ndërhyrjet do të shoqërohen me një plan veprimi për realizimin e tyre në afatet e përcaktuara nga projekti.



Mbi 80,000 banorë të Beratit dhe Përmetit do të jenë përfituesit e parë nga këto investime. Rreth 100 mijë turistë vizituan Beratin dhe Përmetin gjatë vitit 2017 dhe pritet që numri të rritet gjatë viteve që vijnë. Ky program i integruar investimesh synon të kontribuojë në rritjen e atraksionit dhe aktiviteteve turistike brënda qendrave urbane, duke inkurajuar zhvillimin e sipërmarrjes private, gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së vendasve.