Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Aktivitete
Faqja Kryesore > Aktivitete > Projekte në Zbatim

 

Programi i Ujësjellësve Rurale

Vështrim i përgjithshëm                                

Gjatë njëzet viteve të fundit Shqipëria ka bërë përparime të dukshme duke kaluar nga një sistem i centralizuar dhe i prapambetur drejt një ekonomie tregu. Sipas INSTAT, për periudhën 1998-2008, vërehet një rritje prej 7,1% në vit e PBB-së reale, e cila është shoqëruar edhe me një ulje të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale. Megjithatë, në zonën e rajonit Malor niveli i varfërisë nuk ka shfaqur ndryshime të rëndësishme. Të varfërit janë akoma të përqëndruar në zonat rurale të rajonit Malor. Shqipëria ka patur një rritje të qëndrueshme ekonomike si dhe ka kryer reforma ekonomike, që kanë ndikuar në qëndrueshmërinë makroekonomike, qeverisjen e përmirësuar, zhvillimin e investimeve në sektorin privat, përftimin e shërbimeve sociale publike. Duke qenë e vetëdijshme për varfërinë dhe problemet e infrastrukturës në zonat rurale, qeveria shqiptare filloi në vitin 1988 bashkëpunimin me qeverinë gjermane. Që nga ai vit Qeveria Gjermane ka angazhuar një shumë totale prej 850 Milion Euro për projekte investimesh në gjithë Shqipërinë nga të cilat më shumë se 50% janë dhënë në kuadër të Bashkëpunimit Financiar që implementohet nga KfW


SFIDA

Me ndryshimet politike dhe social-ekonomike që ndodhën në Shqipëri pas viteve 90-të, sistemet ekzistuese të ujësjellësve kaluan nën vartësin e Njësive të Qeverisjes Vendore. Megjithatë, pjesa më e madhe e shërbimeve utilitare me ujë të pijshëm ndodhen në zonat urbane. Për shumë vite me radhë furnizimi me ujë i fshatrave në zonat rurale është lënë pas dore. Si rezultat i kësaj gjendjeje, sistemet e ujësjellësve ekzistues nuk janë eficientë si pasojë e mungesës së kapaciteteve të menaxhimit të qëndrueshëm. Pamjaftueshmëria e furnizimit me ujë të pijshëm, cilësia e tij dhe aksesi i pamjaftueshëm, janë ndër shkaqet kryesore të varfërisë në zonat rurale.


Ndërhyrja

Qeveria shqiptare duke parë gjendjen e vështirë të furnizimit me ujë të zonave rurale ndërmori reformën në sektorin e furnizimit me ujë dhe ujësjellës kanalizimeve. Në kuadër të kësaj reforme në dhjetor të vitit 2007, të gjitha shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve me borxhe të eliminuara u transferuan pranë pushtetit vendor.

Objektivi kryesor i reformës:

Decentralizimi / komercializimi i mëtejshëm i sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, për të bërë të mundur që shoqëritë të jenë me vetfinancim, me një plan afatgjatë dhe të qëndrueshm, me qëllim përmirësimin e treguesve të punës dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve ndaj konsumatorit. Për realizimin e kësaj reforme Qeveria shqiptare kërkoi mbështetjen e KFW për përgatitjen dhe financimin e një programi për furnizimin me ujë të zonave rurale. Nënshkrimi i kontratës për fazën e parë të këtij programi u bë në dhjetor 2007 dhe për fazën e dytë në dhjetor 2008. Programi i cili do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka si objektiv rehabilitimin dhe ndërtimin e sistemeve të ujësjellësve rurale dhe në raste të veçanta edhe të sistemeve të kanalizimeve dhe përbën një hap të rëndsishëm drejt menaxhimit dhe funksionimit të qëndrueshëm të tyre në të ardhmen. Ky program ka si objektiv kryesor përmirsimin dhe sigurimin e kushteve të jetesës të popullsisë rurale nëpërmjet ndërtimit të 28 ujësjellsve rural të cilët do të furnizojnë popullsinë e 50 fshatrave të përfshira në program, me ujë të pastër higjenikisht, në sasi të mjaftueshme, bazuar në mbulimin e kostos së funksionimit dhe mirëmbajtjes dhe tarifave të pranuara shoqërisht. Kostoja e këtij programi parashikohet të jetë rreth 11.7 milion Euro. Programi do të zgjasë për një periudhë 6 - vjecare dhe do të ketë edhe ekspertizë ndërkombëtare që do të bëjë të mundur një përmirsim rrënjësor të standarteve teknike dhe menaxhuese të zbatimit të programit.



Rezultatet

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2011, programi ka hyrë në fazën e implementimit të tij. Janë shpallur tenderat për 25 skema.  Ka përfunduar procesi i tenderimit dhe vlerësimit për 25 skema dhe janë lidhur 6 kontrata për zbatimin e punimeve civile që përfaqësojnë 12 skema ujësjellësish.


Ndërkohë ka filluar puna në terren për zbatimin e punimeve civile për 12 skemat e para të ujësjellësve. Pritet që muaji Korrik 2011, të shënojë fillimin e punës në të gjitha skemat pjesëmarrëse në Program. 

Aktivitetet kryesore të zhvilluara në kuadër të zbatimit të projektit kanë qenë:

  • Në fazën e parë u krye identifikimi i nevojave për ujësjellës në qarqet e Dibrës, Kukësit, dhe Shkodrës. Për këtë u bashkëpunua ngushtë me Njësitë e Qeverisjes Vendore, dhe Konsulencën e kontraktuar për zbatimin e këtij Programi.
  • Në fazën e dytë u hartuan fizibilitetet teknike dhe sociale për të gjithë ujësjellësat. Për përzgjedhjen e ujësjellësve pjesëmarrës në program, u hartua një bazë të dhënash me tregues socialë dhe teknikë të cilët u përdorën për të përzgjedhur 28 skema ujësjellësish.
  • Në fazën e tretë, e cila shënon dhe fazën e implementimit të programit, u hartuan projektet teknike, dhe u përgatit dokumentacioni i tenderimit për të gjitha skemat fituese. U shpallën tenderat për 25 skema. Ka përfunduar procesi i tenderimit dhe vlerësimit për 25 skema dhe janë lidhur 6 kontrata për zbatimin e punimeve civile që përfaqësojnë 12 skema ujësjellësish. Ndërkohë ka filluar puna në terren për zbatimin e punimeve civile për 12 skemat e para të ujësjellësve.
  • Gjatë implementimit të këtij programi një rëndësi e veçantë i është kushtuar masave shoqëruese dhe ngritjes së kapaciteteve. Në këtë kuadër është kryer hartimi i draftit të manualit Financiar dhe Komercial, i cili është testuar në 4 Komuna. Ka përfunduar hartimi i draftit të Manualit të Funksionim Mirëmbajtjes. Ka filluar dhe vijon procesi i trajnimit për Funksionim Mirëmbajtjen e Ujësjellësve. Ndërkohë është hartuar drafti i Strategjisë së Komunikimit dhe Rritjes së Ndërgjegjësimit.
  • Janë kryer takime informimi dhe orientimi me Grupet e Përfituesve të Ujit, për të gjitha skemat e ujësjellësve pjesëmarrës në program. Janë kryer një seri takimesh me komunitetin, me qëllim sensibilizimin, evidentimin dhe zgjidhjen e problemeve sociale. Për të gjitha skemat janë kryer konsultime me publikun për të diskutuar Draftin Teknik të Projektit dhe çështjet mjedisore. Është ofruar asistencë teknike dhe ligjore për procedurat e aplikimit për Liçensë si Operatorë të Shpërndarjes së Ujit, në komunat Shupenzë, Hajmel, Baz dhe Melan.


Drejt së ardhmes

Ky program kap vlerën financiare  prej 11,7 milionë euro,  ku 10 milionë euro janë financuar nga KfW dhe 1,7 milionë euro nga Qeveria Shqiptare. Komunat dhe fshatrat përfituese do të përmirësojnë kushtet e jetesës së rreth 40 mijë banorëve të 50 fshatrave në zonat rurale të Shqipërisë. Realizimi i këtij programi do të rezultojë në:

(i) instalimin e infrastrukturës teknike të ujësjellësve dhe mirë-funksionimin e tyre;

(ii) ndërgjegjësimin e popullsisë përfituese për aspektet higjienike, shëndetësore dhe funksionale të ujësjellësve dhe kanalizimeve;

(iii) rritjen e përgjegjësisë së qeverisjeve lokale për funksionimin dhe mirëmbajtjen e ujësjellësve rurale duke siguruar në këtë mënyrë edhe qëndrueshmërinë e tyre.


Njoftim për komunat e qarqeve KUKËS, DIBËR, SHKODËR:

Njoftim për komunat e qarqeve KUKËS, DIBËR, SHKODËR:

 

1. Identifikimi i Ujësjellësave (shkarko)
2. Baza e të dhënave - Ujësjellësit RWS-Kombëtar (shkarko)

Foto galeri


Programi i Ujësjellësve Ruralë

Qëllimi: Përmirësimi dhe sigurimi i kushteve të jetesës për popullsinë rurale të Qarqeve pjesëmarrëse në program. Objektivi Kryesor: Projekti synon të furnizojë popullsinë e fshatrave të përfshira në program me sasi të mjaftueshme uji të pastër higjenikisht, mbi bazën e mbulimit të shpenzimeve dhe tarifave të pranueshme nga komuniteti.
Lista e projekteve që do financohen

Në Kuadrë të Marrëveshjes së Financimit nga Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW për projektin Programi i Ujësjellësve Rural, FSHZH shpall Projektet që kualifikohen për financim si më poshtë:
Harta e ujësjellësve ruralë
Harta jep një pamje grafike të ujësjellësve ruralë