Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Aktivitete
Faqja Kryesore > Aktivitete > Projekte në Zbatim

Programi "Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale"

Vështrim i përgjithshëm

Gjatë njëzet viteve të fundit Shqipëria ka bërë përparime të dukshme duke kaluar nga një sistem i centralizuar dhe i prapambetur drejt një ekonomie tregu. Sipas një raporti të përbashkët nga INSTAT, UNDP dhe Banka Botrore mbi trendin e varfërisë në Shqipëri për periudhën 2002-2005-2008, vërehet një rritje prej 7,1% në vit e PBB-së reale, e cila është shoqëruar edhe me një ulje të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale. Megjithatë, në zonën e rajonit Malor niveli i varfërisë nuk ka shfaqur ndryshime të rëndësishme. Të varfërit janë akoma të përqëndruar në zonat rurale të rajonit Malor. Shqipëria ka pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike si dhe ka kryer reforma ekonomike, që kanë çuar në qëndrueshmërinë makroekonomike, qeverisjen e përmirësuar, zhvillimin e investimeve në sektorin privat, përftimin e shërbimeve sociale publike.


SFIDA

Shqipëria ka trashëguar nga regjimi komunist një infrastrukturë të dobët e cila ka ndikuar në kushtet e vështira të transportit të njerëzve dhe të mallrave. Sipas një studimi të BB mbi Vlerësimin e Varfërisë në vitin 2003 rezulton se shqiptarët pas punësimit dhe të ardhurave konsiderojnë problemet e infrastrukturës si shkakun kryesor të vështirësive dhe një faktor domethënës për standartin e tyre të ulët të jetesës pasi rreth 57% e popullsisë jeton në zonat rurale ku gjendja e transportit rrugor lë shumë për të dëshiruar. Gjendja e varfër e infrastrukturës rrugore përfaqëson pengesën më të madhe për transportin e njerëzve dhe të mallrave, për investimet e huaja, për zhvillimin e turizmit, për rritjen ekonomike, aksesin ndaj shërbimeve sociale, mundësive për punësim, në mënyrë të veçantë për banorët e zonave rurale. Shqipëria zotëron një inventar rrugësh rurale prej 12 mijë km, nga të cilat 4,980 km janë rrugë rurale me karakter komunal dhe 4,471 km janë rrugë me karakter rajonal. Kontributi i këtij rrjeti rrugësh në zhvillimin e bujqësisë dhe rëndësia që ka bujqësia për PBB-n për zhvillimin ekonomik të vendit dhe uljen e varfërisë, nënvizon rëndësinë që ka përmirësimi sa më i shpejtë i rrjetit të rrugëve sekondare dhe lokale.

Ndërhyrja

Nisur nga nevoja e përmirësimit sa më të shpejtë e efikas të infrastrukturës rrugore, qeveria shqiptare vitet e fundit ka hartuar së pari "Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013" si dhe "Planin e Transportit Kombëtar". Po ashtu në vitin 2007 qeveria shqiptare inicioi një projekt për Përmirësimin e Rrugëve Dytësore dhe Lokale. Ky Projekt u mbështet nga Banka Botërore e cila hartoi edhe Dokumentin e Vlerësimit të Projektit. Zbatimi i këtij Projekti të rëndësishëm iu besua Fondit Shqiptar të Zhvillimit si një agjenci me përvojë në implementimin e projekteve të infrastrukturës. Projekti "Përmirësimi i Rrugëve Dytësore & Lokale", bashkë-financuar nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë në vlerën 400 milion USD, synon të rrisë përpjekjet konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në vend si edhe për rritjen e aksesit ndaj shërbimeve bazë dhe tregjeve, veçanërisht në zonat rurale nëpërmjet rehabilitimit të rreth 1500 km rrugë. Projekti u bë efektiv në Shtator 2008.

Rezultatet

Programi prej 5 vitesh ka hyrë në fazën e implementimit:

  • Ka përfunduar faza e parë e inventarizimit të plotë me të dhëna të detajuara për rreth 3800 km, të identifikuara si rrugë kryesore të rrjetit rrugor rural.
  • Ka filluar dhe është në proces zbatimi faza e dytë e inventarizimit e cila parashikon të çojë numrin e kilometrave të inventarizuara në rreth 6200 km.
  • Janë mbledhur të dhëna të hollësishme për të gjithë seksionet rrugore, (rreth 525 segmente) si popullsia, trafiku, gjendja (ashpërsia e rrugës), aksesi që krijon, si edhe varfëria në zona.
  • FSHZH tashmë përveç inventarit, disponon dhe listën e prioritizuar të rrugëve.
  • Janë hartuar projektet teknike dhe dokumentacioni i prokurimit për një total prej 800 km segmente rrugore.
  • Janë financuar punimet në 107 segmente rrugore dytësore dhe lokale në të gjithë vendin, në një total prej 974 km.
  • Janë përfunduar 69 segmente rrugore ose një total prej 567 km.
  • 31 segmente rrugore ose 324 km janë në proces zbatimi.
  • 7 segmente rrugore ose 83 km janë në proces tenderimi /vlerësimi.
  • 23 specialistë të Departamentit të Infrastrukturës të angazhuar drejtpërsëdrejti në ndjekjen e kontratave të ndërtimit në kuadër të Projektit "Përmirësimi i rrugëve Dytësore dhe Lokale" u trajnuan nga FIDIC.
  • Rreth 740 persona përfaqësues të 354 komunave janë trajnuar për funksionimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor rural.

Drejt së ardhmes

Deri më sot në këtë projekt janë angazhuar Qeveria Shqiptare, Banka Botërore, OFID, Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim, Norway Trust Account, Bashkimi Evropian, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Islamike e Investimeve, KfW, WBIF në një vlerë prej 368 milionë USD. Gjatë vitit 2013, parashikohet që të jenë rehabilituar apo të jenë nën rikonstruksion 1200 km rrugë. Buxheti i këtij viti karakterizohet nga një rritje e konsiderueshme e investimeve, duke ulur ndjeshëm kostot operative për realizimin e tyre. Pjesë e grupit të donatorëve që janë angazhuar për t’iu bashkangjitur programit është edhe Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA). Shumat e akorduara nga këta donatorë pritet ta plotësojnë buxhetin total të projektit, madje parashikohet një tejkalim i shumës fillestare prej 400 milionë USD. Këto investime do të mundësojnë përmirësimin e 1500 km rrugë dytësore dhe sekondare duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët përfitues, duke shkurtuar kohën e transportit për të arritur në tregjet lokale dhe në qendrat shëndetësore e kulturore. Risia e projektit të "Rrugëve Dytësore dhe Lokale" është sigurimi i qëndrueshmërisë dhe funksionalitetit afatgjatë të rrjetit rrugor nëpërmjet kontraktimit të shërbimit të mirëmbajtjes në sektorin privat.


Foto Galeri
 
CEB grant NTA 36 FP 1665 SLR Project
Plan i shkurtuar shpronesimi Velabisht 2012
Plan i shkurtuar shpronesimi Hajmel 2011
Quarterly Report EBRD and EIB-financed Roads Project
Vështrim i përgjithshëm mbi programin
Harta e rrugëve dytësore
Harta e rrugëve dytësore
Kriteret e përzgjedhjes për projektet e BB dhe OFID
Kritere të vlerësimit për rrugët dytësore
Kuadri për Politikat e Shpronësimit dhe Kompensimit të aseteve
Kuadri për Politikat e Shpronësimit dhe Kompensimit të aseteve për Përmirësimin e Menaxhimit dhe Kushteve të Projektit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale
Plani i Menaxhimit mjedisor (kuadri mjedisor)
Plani i Menaxhimit Mjedisor per Projektin e Përmirësimit të Menaxhimit dhe Kushteve të Rrugëve Sekondare dhe Lokale në Shqipëri

Kuadri mjedisor
Kuadri i Masave Mbrojtëse Mjedisore