Projekti “Punët me Komunitetin II” i Bankës Botërore përfshin edhe një komponent të shërbimeve sociale. Ideja e këtij komponenti është të financohen ndërtimi/rikonstruksioni i gjashtë Qendrave komunitare në gjashtë qendra rurale (komuna) të Shqipërisë dhe mbështetja e këtyre qendrave me pajisje dhe aktivitete për fillimin e aktiviteteve të cilat më pas do të menaxhohen nga komunat. Në kuadër të këtij komponenti të 12 Qarqet propozuan nga një komunë kandidate për këtë financim. Të 12 komunat aplikuan pranë FZHSH për t’u përzgjedhur gjashtë. Për këtë arsye në datën 16 Maj 2006, u zhvillua një trajnim me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të 12 komunat në ambientet e FZHSH. Në trajnim morën pjesë rreth 25 persona kryetarë komunash, përgjegjës të zyrës së shërbimeve, punonjës socialë etj. Seminari kishte si qëllim shpjegimin e idesë së këtij projekti, llojit të shërbimeve që mund të ofrohen si dhe trajnimin e komunave si të aplikojnë pranë FZHSH-së për këtë projekt. NJë nga objektivat kryesorë përfshinte vënien e komunave në një start të barabartë për konkurrimin mes tyre.