Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka krijuar një metodologji dhe strukturë për hartimin e planeve lokale të zhvillimit bazuar në pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit. Kjo metodologji është përgatitur me asistencën e një konsulenti ndërkombëtar, Urban Institute; Ëashington D.C. FShZh-ja testoi këtë metodologji në pesë komuna të vendit të cilat kishin karakteristika të ndryshme të tilla si demografia, niveli i zhvillimit, shpërndarja gjeografike. Pesë komunat që iu nënshtruan këtij procesi ishin Kastriot (Qarku i Dibrës, Verilindje), Velipoja (Qarku i Shkodrës, Veriperëndim), Maminas (Qarku i Durrësit, Qendër), Vithkuq (Qarku i Korçës, Juglindje), Xara (Qarku i Vlorës, Jug).
FSHZH-ja siguron trajnim dhe asistencë të vazhdueshme teknike përgjatë gjithë projektit. Produkti i ketij projekti është një Plan Zhvillimi Lokal me synimet strategjike dhe hapat/planet e veprimit, para-studimet e fizibilitetit dhe dhe një plan monitorimi dhe vlerësimi i cili përmban një sistem treguesish për matjen e ecurisë. Përveç kësaj komunat kanë një staf të trajnuar mirë në drejtim të planifikimit dhe menaxhimit të burimeve të komunitetit.
Çfarë është Planifikimi i Zhvillimit Lokal?
Planifikimi i zhvillimit lokal është një proces jetësor që i jep mundësinë pushtetit lokal – dhe publikut që ai përfaqëson – të marrin kontrollin dhe ti japin formë të ardhmes së tyre. Një Plan i Zhvillimit siguron informacion mbi ecurinë e veprimeve të një komuniteti, një hartë rrugore nëse mund të thuhet kështu, për tu ndjekur nga zyrtarët e zgjedhur, stafi i pushtetit lokal dhe popullësia e gjerë në dhënien formë të të ardhmes së tyre të dëshiruar. Planifikimi i zhvillimit lokal është një proces aktiv. Ai ka të bëjë me të menduarit, planifikuarit dhe parashikuarit strategjik të gjërave që një komunitet ka nevojë të bëjë me qëllim që të arrijë synimet e dëshiruara.
Një planifikim efektiv i zhvillimit lokal kërkon që pushteti lokal të kuptojë se me çfarë “biznesi” merret, kush janë klientët e tij dhe sa mirë po i plotëson ai nevojat dhe pritshmëritë e tyre. Kur realizohet mirë, planifikimi i zhvillimit lokal përfshin kontribute dhe pjesëmarrje nga një segment i konsiderueshëm i komunitetit dhe aktorëve të tjerë. Kjo garanton që pushteti lokal të kombinojë burimet më të mira të mundshme gjatë planifikimit të së ardhmes së tij si dhe të realizojë një forum kyç për pjesëmarrjen dhe angazhimin e shoqërisë civile.
Në fakt rëndësia që ka komponenti i pjesëmarrjes së komunitetit është e paçmueshme. Synimet strategjike dhe hapat e veprimit të shprehura në Planin e Zhvillimit Lokal nuk janë një e drejtë ekskluzive vetëm e pushtetit lokal të komunës. Komuna nuk mundet as të bëjë gjithçka vetë dhe as t’ju japë e vetme zgjidhje nevojave të komunitetit. Në PZhL është e natyrshme që i gjithë komuniteti të ketë një zë dhe të kontribuojë në realizimin e arritjeve të një komune të qëndrueshme. Angazhimi dhe veprimi i anëtarëve, grupeve dhe aktorëve të tjerë të ndryshëm të komunitetit janë kritike për arritjen e suksesshme të atyre vizioneve, synimeve dhe veprimeve të Komunës të cilat përbëjnë PZhL-në.
Planifikimi i zhvillimit lokal i lejon gjithashtu pushtetit lokal të bashkërendojë më mirë shërbimet e tij me prioritetet e këshillit dhe komunitetit lokal si dhe me prioritetet në rang qarku dhe në rang kombëtar.
Nga ana tjetër institucionet e qarkut dhe ato kombëtare si dhe donatorët kanë se çfarë të mësojnë dhe përfitojnë nga planet e zhvillimit lokal në lidhje me përcaktimin e kornizave më të gjera në hartimin e politikave dhe plan-veprimeve. Pritet që sapo të vihen në lëvizje PZhL-të do të japin shtytjen e nevojshme në lidhje me zhvillimin dhe përmbajtjen e planifikimit në rang qarku dhe në atë kombëtar si dhe në drejtim të hartimit të politikave. Si pjese e ketij është duke u përgatitur edhe një hartë e përpjekjeve që aktualisht po bëhen në Shqipëri në drejtim të planifikimit të zhvillimit lokal; përmbledhje e rezultateve dhe rekomandimet që do të dalin nga ky kërkim do të përfshihen në një raport përfundimtar dhe do ti bashkangjiten Strukturës dhe Metodologjisë së PZhL/MVP-së kur të shihet me vend.
Një Plan i Zhvillimit Lokal është efektiv vetëm atëherë kur përdoret në mënyrë rigoroze për qëllime të planifikimit dhe hartimit të shërbimeve dhe projekteve, shpërndarjes së burimeve, identifikimit të boshllëqeve dhe nevojave fiskale, matjes së rezultateve të punës së pushtetit lokal dhe komunikimit të këtyre rezultateve tek komuniteti. Ai është një proces dhe dokument me anë të të cilit komuniteti mund ti kërkojë llogari udhëheqësve të tij për realizimin e gjerave në një mënyrë të tillë që i përgjigjet nevojave dhe prioriteteve të tyre. Ai siguron një përdorim me vend dhe efektiv të burimeve të kufizuara për të garantuar se komuniteti është pozicionuar në mbështetje të arritjes së qëllimeve të tij.
Planet e Zhvillimit Lokal duhet të mbrohen dhe të aprovohen nga ana konceptuale nga këshillat lokal. Megjithëse në parim PZhL-ja ka karakter afatgjatë si nga vizioni ashtu edhe nga veprimet, ajo përsëri ka nevojë të ketë një shkallë të lartë fleksibiliteti për të siguruar përshtatshmëri dhe përgjegjshmëri të vazhdueshme ndaj nevojave dhe prioriteteve në ndryshim të komunitetit. Në këtë mënyrë PZhL-të duhet të rishikohen çdo vit dhe të ndryshohen sa herë të jetë e nevojshme.
Kush merr pjesë në Procesin e Planifikimit?
Me qëllim që të sigurojë një përfaqësim të gjerë të zyrtarëve të zgjedhur, stafit dhe komunitetit në hartimin e një plani për të ardhmen e tyre, metodologjia e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kërkon ngritjen e grupeve të mëposhtme të pjesëmarrjes:
Grupi i Planit të Zhvillimit Lokal (Grupi PZhL)
Grupi PZhL është përgjegjës për udhëheqjen, për të dhënë direktiva dhe këshilla dhe për të mbikqyrur zhvillimin e PZhL-së. Grupi PZhL përbëhet nga përfaqësues të Këshillit, administratës së pushtetit lokal, fshatrave dhe komunitetit të gjerë. Ai ndahet në disa nën-grupe – për të patur një efektshmëri logjistike dhe thelbësore. Ndërmjet tyre janë:
Drejtuesi, zgjidhet nga Grupi PZhL
Kryetari i Komunës
2-3 anëtarë të Këshillit
3-5 persona nga stafi i Komunës (p.sh. nga urbanistika, financa, shërbimet publike, shërbimet sociale)
3-5 qytetarë të zakonshëm të cilët të përfaqësojnë karakteristika demografike/profesionale të ndryshme të popullësisë
1 përfaqësues nga çdo fshat
Nën-grupi i Monitorimit dhe Vlerësimit Pjesëmarrës (nën-grupi MVP): Nën-grupi MVP ngarkohet me përcaktimin e kritereve për vlerësimin e procesit të PZhL-së duke asistuar në identifikimin e mënyrës së matjes së rezultateve për synimet strategjike dhe hapat e veprimit si dhe në vlerësimin e arritjes së rezultateve. Me përfundimin e planit dhe aprovimin e tij nga Këshilli, nën-grupi MVP zgjerohet dhe kryen një monitorim të vazhdueshëm të rezultateve të PZhL-së.
Nën-komisionet e Grupit PZhL për Zonat Prioritare: Këto nën-komisione të Grupit PZhL përfaqësojnë ato që quhen katër kollonat (zhvillimin ekonomik, zhvillimin social, infrastrukturën publike dhe shërbimet si dhe mirë-qeverisjen) dhe janë përgjegjëse për specifikimin e hapave/projekteve të veprimit për zonat prioritare si dhe për kryerjen e para-studimeve të fizibilitetit të planeve të veprimit. Duke qenë të përbërë gjerësisht nga anëtarë të Grupit PZhL këto nën-komisione gjithashtu ftojnë ekspertë vendas dhe të jashtëm për të siguruar këshillime të mirëpritura mbi zhvillimin e planeve të veprimit.
Nën-komisionet e tjera të Grupit PZhL të cilat parashikohet të sigurojnë një aplikim sa më efektiv të metodologjisë, janë: nën-grupi i Mobilizimit të Komunitetit, nën-grupi i Grumbullimit të Dhënave dhe një Sekretariat për grumbullimin dhe mirëmbajtjen.
Si Funksionon ky Proces? Dhjetë Hapat për Krijimin e një Plani të Zhvillimit Lokal
Metodologjia e FSHZH-së përmban dhjetë hapa kyç për krijimin e një plani të zhvillimit lokal.
Sigurimi i Angazhimit: FSHZH-ja takohet me Kryetarin e Komunës i cili pastaj merr aprovimin në parim të Këshillit të Komunës për të vazhduar me përgatitjen e planit të zhvillimit lokal
Dhënia e Direktivave: FSHZH-ja siguron trajnim intensiv për Grupin PZhL
Nisja e Punës: Grupi PZhL dhe nën-grupet e tij fillojnë të takohen dhe të hartojnë linjën e tyre të veprimit
Grumbullimi i Informacionit: një Profil i Komunës, Vëzhgimi i Qytetarëve dhe një Sesion i Këshillit për Hartimin e Strategjive janë ato që përbëjnë aktivitetet kryesore të grumbullimit të informacionit që do të përdoret për zhvillimin e planit
Angazhimi i Komunitetit: Organizimet e Vizitave në Fshat bëhen në të gjitha fshatrat dhe caktohen grupet e fokusimit për të përzgjedhur grupe të veçanta
Vlerësimi, Vizionimi dhe Hartimi i Strategjive: Grupi PZhL analizon inputet dhe harton një Deklaratë të Vizionit dhe Synimeve Strategjike si përgjigje ndaj shqetësimeve të qytetarëve
Hartimi i Plan-Veprimeve të Zonave Prioritare: Nën-komisionet e Zonave Prioritare identifikojnë dhe përcaktojnë prioritetet e hapave/projekteve të veprimit dhe kryejnë para-studimet e fizibilitetit; Grupi PZhL harton Planin
Ri-vizitimi i Fshatrave: “Ju Folët, Ne Dëgjuam, A e Kuptuam Qartë?”: Kjo është një mundësi për të verifikuar me komunitetin nëse plani përputhet me atë çka ata prisnin
Integrimi me Hartimin e Buxhetit dhe Pranimi nga Këshilli: Plani nxjerr në dukje nevojën për marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me shpërndarjen e burimeve dhe ai pranohet nga Këshilli
Zbatimi dhe Monitorimi dhe Vlerësimi i Vazhdueshëm: Grupi PZhL nis zbatimin e planit dhe vazhdon të monitorojë dhe vlerësojë ecurinë e përkundrejt arritjes së objektivave.
Nga fillimi në fund ky proces zgjat afërsisht 6 – 8 muaj dhe përdoret për të ndihmuar në hartimin e buxhetit vjetor. PZhL-ja parashtron një plan veprimi afatshkurtër afatmesëm dhe afatgjatë. Vizioni mbulon një periudhë 10 – 15 vjeçare dhe synimet strategjike një periudhe 5 vjeçare. Megjithatë, për të qenë realist dhe për tu siguruar se jemi në gjendje të fokusohemi mbi projekte dhe veprime konkrete, planet e veprimit shkurtohet në një deri në tre vjet dhe fokusohet në mënyrë specifike gjatë hartimit të buxhetit. Çdo hap veprimi ka një afat të caktuar për tu vënë në zbatim. Përputhja me këto afate monitorohet nga grupi i monitorimit dhe vlerësimit pjesëmarrës.