Për të përmirësuar aspektin e pjesëmarrjes qytetare në nënprojektet e infrastrukturës së fundmi janë ndërmarrë hapa të shumtë dhe ka pasur një përmirësim cilësor mjaft të ndjeshëm në këtë drejtim.
Së pari, u organizua një seminar në Tiranë me të gjithë kryetarët e komunave/bashkive që do të përfitojnë investime nga FSHZH dhe stafin e tyre. Ky seminar synonte qartësimin e të gjithë aspekteve sociale, pjesëmarrjen e komunitetit në të gjithë ciklin e nënprojektit, çështjen e kontributit si dhe problemet e mundshme me pronësinë.
Hapi tjetër ishte organizimi i takimeve të hapura në të gjithë fshatrat/lagjet përfituese të nënprojekteve për informimin e komuniteteve për projektin, FSHZH-në, si dhe hapat e procedurat e zbatimit të nënprojekteve. Në këto mbledhje u zgjodhën në mënyrë të hapur e demokratike Grupet e Këshillimit e Ndjekjes; përfaqësuesit e komunitetit gjatë gjithë ciklit të zbatimit të projektit. Mbi 1000 pjesëmarrës ishin pjesëmarrës në këto mbledhje në 37 projekte të financuara nga Banka Botërore e Qeveria Shqiptare.
Ka patur një hap cilësor në drejtim të përmirësimit të transparencës së projektimit si dhe parandalimit të problemeve të pronësisë. U organizuan mbledhje me komunitetet përfituese në të gjithë projektet ku u paraqit nga ana e projektuesit drafti i projektit teknik. Përfaqësuesit e NJQV-së e komunitetit u ftuan të jepnin kontributin dhe vërejtjet e tyre në drejtim të projektit në varësi të specifikave të terrenit, kërkesave të veçanta të komunitetit e problemeve të pronësisë. Rezultat i këtyre takimeve ishte fakti që u reflektuan vërejtjet e komunitetit në projekt ose në rastet kur kjo nuk ishte e mundur u sqaruan qytetarët rreth pamundësive teknike për realizimin e të gjithë problemeve të tyre.. Rreth 700 pjesëmarrës morën pjesë në këto takime. Një tjetër rezultat që do të donim të vinim në dukje ishte puna e bërë në realizim të parandalimit të problemeve me pronësinë, që ka qenë vazhdimisht një pengesë për realizimin e investimeve. Takimet me projektuesin si dhe takime të veçanta me pronarët e truallit ku do të realizoheshin investimet kontribuan në nënshkrimin e rreth 90 marrëveshjeve me pronarët ku këta të fundit bien dakord që në mënyrë vullnetare të japin nga prona e tyre e të mos bëhen pengesë për realizimin e projekteve.
Një vëmendje e vecantë i është kushtuar edhe trajnimit e sqarimit të grupeve komunitare për proceset e prokurimit e zbatimit të punimeve. Një trajnim i këtyre grupeve po bëhet në të gjithë nënprojektet duke i bërë këto grupe një kontribuues real në monitorimin e zbatimit të punimeve. Këto trajnime vendosn një lidhje të drejtpërdrejtë mes të gjithë aktorëve kyc të zbatimit të nënprojekteve (komunitet, NJQV, supervizor, kontraktor) dhe rrsin transparencën e zbatimit të nënprojekteve. Poster e fletëpalosje me të dhënat teknike kryesore të kontratës së punimeve, mënyrat e kontaktit për sqarimin e nënprojekteve janë shpërndarë në të gjitha komunitetet përfituese.