PROGRAMI I INVESTIMEVE KAPITALE NË BREGDETIN E JUGUT





1. Profili i Qarkut Vlorë

Shqiperia

Qarku i Vlorës është një nga 12 qarqet e Shqipërisë, dhe përfshin rrethet e Vlorës, Sarandës dhe Delvinës. Çdo rreth përfshin një ose më shumë bashki dhe një sërë komunash, me një total prej 7 bashkish dhe 19 komunash. I gjithë qarku ka një popullsi prej 175 mijë banorësh.
Programi i Investimeve Kapitale të Bregdetit të Jugut shtrihet në 5 Bashki dhe 10 Komuna të Qarkut.
Zona përbën një mozaik të traditave historike dhe kulturore, duke ofruar një larmi habitatesh dhe vlerash të rëndësishme mjedisore. Ajo karakterizohet nga kushte të ndryshme ekonomike, të cilat lidhen drejtpërdrejt me nivelet e ndryshme të zhvillimit. Ndryshimi në cilësinë e jetës ndërmjet zonave bregdetare urbane dhe zonave rurale (kryesisht të vendosura në male ose në luginat e lumenjve) është i dallueshëm dhe është shkak i disa çështjeve sociale dhe ekonomike.

Zona e Bregdetit të Jugut shtrihet në një gjatësi prej 194 km (45 % e bregdetit shqiptar) dhe fillon në jug të qytetit të Vlorës, vijon në gjirin e Orikumit dhe përfundon në kufirin shqiptaro-grek, në Kepin e Stillos. Njesitë administrative të kësaj zone bregdetare janë Bashkitë e Sarandës dhe Himarës dhe komunat Lukove, Aliko, Ksamil dhe Xarrë.
Njësitë vendore në rrethet Sarandë e Delvinë, që nuk kanë dalje në det, janë të lidhura ngushtë me zhvillimet në zonën bregdetare për shkak të lidhjeve të ngushta ekonomike e kulturore me bregdetin.

1.1 Ekonomia

Ekonomia e zonës ka dy profile, ekonominë urbane, me një sektor të madh ndërtimesh dhe shërbimesh kryesisht në Sarandë, por edhe në njësitë e tjera administrative, dhe një ekonomi rurale. Sektorët kryesorë të ekonomisë janë ndërtimi, sektori i shërbimeve dhe bujqësia me një peshë më të vogël.

Qarku i Vlorës duhet të bëhet një territor në të cilin qëndrueshmëria mbulon të gjithë sektorët e aktivitetit njerëzor (akomodimi i turistëve, transporti, administrimi i mbetjeve të ngurta, administrimi i ujit dhe i ujit të ndotur, aktivitetet prodhuese, aktivitetet ndërtimore etj.) dhe ku të gjitha politikat dhe nismat e zhvillimit janë të koordinuara dhe sinergjike. Në këtë kuadër, qarku duhet të vendosë të përmbushë kërkesën globale në rritje për turizmin kulturor, ekoturizmin dhe turizmin rural dhe ta konsiderojë mbrojten e mjedisit jo si limit, por si mundësi për të nxitur novacionin, zhvillimin social-ekonomik dhe rritjen profesionale.

Sfida kryesore e pushtetit lokal është përmirësimi i cilësisë së jetës së banorëve, sigurimi i një rritje të mjaftueshme ekonomike. Me qëllim që të ketë sukses, duhet zhvilluar infrastruktura, të tërhiqen investi-toret dhe të inkurajohen bizneset vendase.

Bregdeti i Jugut

1.2 Infrastruktura publike

Sistemet e transportit janë një faktor kyç për zhvillimin e suksesshëm të turizmit. Analizat e kryera tregojnë mungesën e politikave të zhvillimit të transportit të integruar në nivel rajonal dhe lokal. Rrjeti rrugor kryesor që përshkon e lidh zonën është i përberë nga :

  • Rruga kombëtare kryesore Vlorë - Sarandë
  • Rruga kombëtare Gjirokastër - Sarandë
  • Rruga Sarandë - Qafë Botë (kufi me Greqinë)
  • Rruga Delvinë - Sarandë.
Një tjetër investim në proces është rruga Kardhiq-Delvinë çka do të lehtësonte ndjeshëm aksesin për në Sarandë nga Korridori Levan - Tepelenë - Gjirokastër. Shumica e vendbanimeve lidhen drejtpëdrejt me një nga këto rrugë.

Një sërë rrugësh dytësore si Sarandë - Ksamil - Butrint apo Sarandë - Xarrë kanë kontribuar në një për-mirësim të aksesit në zonë, duke lënë sidoqoftë një sërë projektesh me karakter lokal e rajonal në pritje për financim.

Rrugët e brendshme nëpër qendrat e qyteteve e fshatrave janë në gjendje të tillë që nuk i përgjigjen fluksit të turistëve gjatë stinës së verës.

Investime të ndryshme në infrasturkturën e Ujësjellës - Kanalizimeve kanë patur përgjithësisht një karakter lokal e kanë shfrytëzuar burime nëntokësore megjithëse kapacitetet e burimeve dhe mundësitë për zgjidhje rajonale afatgjata ekzistojnë.

Një zhvillim i pakontrolluar urban ka dëmtuar deri në një farë mase peisazhin e fshatrave tradicionalë duke rrezikuar humbjen e identitetit të tyre. Pak iniciativa janë ndërmarrë për projekte të rikualifikimit urban pavarësisht potencialit në këtë fushë. Një pjesë e mirë e plazheve të bregut tashmë janë të lidhura me rrugë të asfaltuara2 me rrugët nacionale por pak prej plazheve janë trajtuar në një mënyre integrale për krijimin e ambienteve ndihmëse sistemimit të zonave.

2. Programi i investimeve Kapitale

FSHZH, në bashkëpunim me Njësite Vendore të Zonës së Bregdetit propozon në këtë program një listë me projekte të investimeve kapitale publike që do të ishin një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në zonë.

Bashkitë dhe Komunat pjesëmarrëse në Programin e Investimeve Kapitale të Bregdetit të Jugut:

Shqiperia

  • Bashkia Sarandë,
  • Bashkia Himarë,
  • Bashkia Orikum,
  • Bashkia Konispol,
  • Komuna Aliko,
  • Komuna Dhivër,
  • Komuna Ksamil,
  • Komuna Livadhja,
  • Komuna Lukovë,
  • Komuna Markat,
  • Komuna Xarrë,
  • Bashkia Delvinë,
  • Komuna Finiq,
  • Komuna Mesopotam.
  • Komuna Vergo.

Kriteret për paraqitjen e projekteve percaktonin që të ishin prioritare dhe të fokusuara kryesisht në infrastrukturën parësore rajonale e vendore si, rrugë urbane, rrugë rurale, ujësjellës - kanalizime dhe rikualifikime urbane.

Për të grumbulluar dhe saktësuar të dhënat bazë të projekteve të propozuara, nga ana FSHZH u krye një vlerësim në terren i cili u shoqërua edhe me shqyrtimin e pro-jekteve teknike dhe rivlerësimin e tyre në rastet kur ishte e nevojshme.

Vlen për tu theksuar se shumica e propozimeve të ardhura nga Bashkitë dhe Komunat, kanë qënë të pajisura me projektet teknike dhe preventivat përkatës. Një dosje e detajuar me të dhëna konkrete (mbi 135) është përgatitur si pjesë e këtij ushtrimi.





3. Projektet e propozuara për financim

Ky plan përmban 136 projekte të infrastrukturës parësore vendore dhe rajonale në një shumë totale prej 16,839,288,034 Lekë.

  • Punime Civile                     16,189,288,034 Lekë;
  • Projektim - Supervizim         650,000,000 Lekë;
Projektet e propozuara nga NjQV-të pjesëmarrëse në këtë program në shumicën e tyre kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës parësore të klasifikuara si më poshtë:

a) Rrugët urbane dhe rrugët rurale zënë pjesen me te madhe te projekteve me rreth 61 % të totalit të përgjithshëm. Kjo shifër domethënëse reflekton gjendjen e infrastrukturës në këtë zonë dhe nevojën imedi¬ate për ta permirësuar njëherë e mirë. Duke marrë në konsideratë faktin se të gjitha NjQV-të pjesëmarrëse në program shtrihen gjatë bregdetit të jugut, tregon dhe një herë se situata e infrastrukturës rrugore jo vetëm që nuk plotëson nevojat e banorëve, por përbën një pengesë serioze për zhvillimin e turizmit.

b) Ujësjellës - kanalizimet janë grupi i dytë më i madh i propozuar dhe përbëjnë rreth 21 % të totalit të projekteve të propozuara.

c) Grupi i tretë i propozimeve përmban projekte të rikualifikimit urban, siç janë sistemi i shesheve dhe qendrave urbane, me rreth 9 %.

d) Projektet për rehabilitimin dhe resaturimin e objekteve të trashëgimisë kulturore konsistojnë në rivitalizimin e parqeve arkeologjike, monumenteve të kulturës duke i bërë ato të vizitueshme për publikun. Këto projekte zëne rreth 3 % të projekteve të propozuara.

e) Projektet mjedisore përbëjnë rreth 2 % të projekteve dhe konsistojnë në rehabilitimin e zonave të ndotura dhe të degraduara, duke krijuar një mjedis të pastër dhe ruajtur peisazhin natyror.

f) Pjesa tjetër janë projekte të ndryshme si shkollë, qendra kulturore, kanal vadites, zyra komune, etj me rreth 4 %.


Nr Qarku Rrethi NJQV-ja Numri i Nënprojekteve Vlera Totale e Investimeve (Lekë)
1 VLORË Sarandë Bashkia Sarandë 19 5,631,701,552
2 VLORË Sarandë Komuna Aliko 10 411,350,000
3 VLORË Sarandë Bashkia Konispol 4 202,129,683
4 VLORË Sarandë Komuna Ksamil 8 269,604,879
5 VLORË Sarandë Komuna Livadhja 10 1,327,596,000
6 VLORË Sarandë Komuna Dhivër 9 626,738,718
7 VLORË Sarandë Komuna Xarrë 3 213,415,345
8 VLORË Sarandë Komuna Markat 4 269,460,941
9 VLORË Sarandë Komuna Lukovë 10 1,225,000,000
10 VLORË Vlorë Bashkia Himarë 22 3,303,292,488
11 VLORË Vlorë Bashkia Orikum 3 585,978,307
12 VLORË Delvinë Komuna Delvinë 9 791,907,942
13 VLORË Delvinë Komuna Finiq 12 819,094,732
14 VLORË Delvinë Komuna Mesopotam 11 455,665,326
15 VLORË Delvinë Komuna Vergo 2 56,352,121
15 TOTALI 136 16,189,288,034

3.1 Programi i Rrugëve Urbane

Në këtë kategori bëjnë pjesë rrugët e brendshme të qyteteve dhe fshatrave të zonës. Pjesa më e madhe e tyre janë të amortizuara dhe kërkojnë investime të plota që përfshijnë të gjithë gamën e punimeve in-frastrukturore. Programet kryesore janë ato të rikonstruksionit të plotë të një sërë rrugësh në Bashkinë e Sarandës dhe Himarës për t’iu përgjigjur zhvillimeve dinamike urbane; si dhe programet e përmirësimit e urbanizimit në fshatrat e qytezat e tjera të zonës.

Në total numri i rrugeve urbane shkon ne 40 dhe vlere financimi 2,615,033,903 Lekë;


3.2 Programi i Rrugëve Rurale

Në këtë katëgori bëjnë pjesë rrugët rurale që lidhin fshatrat me njëri-tjetrin, dhe me qendrën e komunës ose bashkisë. Gjendja aktuale e këtyre rrugëve nuk lejon kushte normale transporti për banorët dhe turistët gjatë sezonit turistik. Ato përbëjnë një pengese reale për zhvillimin e zonës duke sjellë vështirësi serioze.

Në total numri i rrugeve rurale shkon ne 42 dhe vlere financimi 3,474,499,670 Lekë;


3.3 Programi i Ujësjellës - Kanalizimeve

Në këtë katëgori bëjnë pjesë ujësjellësat dhe kanalizimet në të gjithë zonën urbane dhe atë rurale. Janë studiuar më në detaje dy ujësjellës që japin zgjidhje rajonale:

  • Ujesjellësi i Sarandës dhe një zone të gjerë përreth me furnizim nga burimet e Tatzatit. Një fizibilitet më i detajuar është i nevojshëm si dhe koordinimi me ndërhyrje të tjera.
  • Ujësjellësi i Himarës dhe shumicës së fshatrave të saj nga burimet e Kuçit, Projektet e tjera janë ujësjellësa dhe kanalizime për fshatrat përgja bregut.
Në total numri i ujësjellës-kanalizimeve, shkon në 28 dhe vlerë financimi 6,083,737,754 Lekë;


3.4 Rikualifikim Urban;

Kjo kategori përfshin sistemimin e shesheve, shëtitoreve, qendrave urbane.

Në total numri i projekteve të kesaj kategorie, shkon në 12 dhe vlerë financimi 2,599,733,558 Lekë;


3.5 Projekte mjedisore;

Kjo kategori ka 3 projekte në Sarandë, Dhërmi dhe Ksamil me vlerë financimi 168,000,000 Lekë;


3.6 Projektet për rehabilitimin dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore

Në këte kategori bëjne pjesë 5 projekte për rehabilitimin dhe restaurimin e Parkut Arkeologjik të Finiqit, Orikumit, Manastirit të 40 Shenjtorëve, Kishës së Shënkollit, dhe Kishës së Marmiroit.

Vlera e financimit të këtyre objekteve parashikohet në shumën 859,540,000 Lekë.


3.7 Të tjera

Kjo kategori përfshin projekte të ndryshme si shkollë, qendra kulturore, kanal vaditës, zyra komune, etj.

Në total numri i projekteve të kësaj kategorie shkon në 6 dhe vlerë financimi 388,743,149 Lekë;