Bashkitë & Komunat pjesëmarrëse në Programin e Investimeve Kapitale në Bregdetin e Jugut



Bashkia Sarandë

Bashkia e Sarandës, si njësi e qeverisjes vendore, kujdeset për mbarëvajtjen e qytetit të Sarandës dhe fshatrave Gjashtë, Metoq e Shelegar që në tërësi regjistrojnë një numër prej 41 000 banorësh, ndër të cilët 35 545 jetojnë në qytet. Bashkia ka një shtrirje prej 2 784 hektarësh, ndër të cilat 1 404 ha janë tokë bujqësore, 455 ha pyje e kullota dhe pjesa tjetër zonë urbane e rurale.

Për më shumë informacion kliko këtu

Bashkia Himarë

Bashkia e Himarës, që përfshin qytetin e Himarës dhe fshatrat Pilur, Kudhës, Qeparo Fshat, Qeparo Fushë, Vuno, Iliaz, Dhërmi, Gjilekë, Palasë, shtrihet buzë detit Jon dhe është një ndër pikat më tërheqëse të bregdetit shqiptar. Turizmi përbën një ndër potencialet më të mëdha të zhvillimit ekonomik për këtë Bashki, por me rëndësi janë edhe kultivimi i ullirit e industria e lehtë e përpunimit të tij.

Për më shumë informacion kliko këtu

Bashkia Konispol

Njësia e qeverisjes vendore, Konispol, shtrihet në një sipërfaqe prej 41 km² në zonën më jugore të vendit. Terrenit, kryesisht kodrinoro-malor, nuk i mungojnë fushat, çka mundëson një zhvillim të kënaqshëm të bujqësisë dhe blegtorisë. Zona është e pasur me burime ujore, megjithëse shumica prej tyre nuk janë të pijshëm.

Për më shumë informacion kliko këtu

Komuna Aliko

Komuna e Alikos përfaqëson një njësi të madhe e komplekse, që shtrihet në rreth 11 000 hektarë, kufizuar prej Manastirit të Shën Gjergjit, Liqenit të Butrintit dhe Malit të Milesë nga jugu, bashkisë së Sarandës nga perëndimi, komunës Finiq nga veriu dhe asaj të Dhivrit nga lindja.

Për më shumë informacion kliko këtu

Komuna Dhivër

Komuna Dhivër ka një sipërfaqe prej 12 255 hektarësh ndër të cilat 2 528 ha janë të mbuluara me pyje, 4 487 ha janë kullota, 4 387 ha tokë bujqësore dhe 853 ha për funksione të tjera. Lartësia mesatare mbi nivelin e detit në Komunë është 1 100 m. Popullsia prej afro 6 400 banorësh jeton në fshatrat Dhivër, Shëndre, Cerkovicë, Janicat, Malcan, Leshnicë e Sipërme, Leshnicë e Poshtme, Memoraq, Rumanxa, Dermish e Navarricë.

Për më shumë informacion kliko këtu

Komuna Ksamil

Komuna e Ksamilit, që ka një sipërfaqe prej 1 270 hektarësh dhe një popullsi prej 9 600 banorësh, përfshin në territorin e saj qytezën e Ksamilit dhe fshatin Manastir. Qyteza, që fillimet e krijimit të saj i ka në vitet 70-të, numëronte rreth 1 800 banorë deri në vitin 1990, por pas këtyre viteve numri i banorëve u rrit ndjeshëm.

Për më shumë informacion kliko këtu

Komuna Livadhja

Komuna e Livadhjasë shtrihet në jug të qytetit të Sarandës dhe ka një popullsi prej 8 838 banorësh të shpërndarë në 15 fshatra, (Livadhja, Sopik, Pandalejmon, Kulluricë, Llazat, Kalcat, Kodër, LefterTalo, Vagalat, Gravë, Qesarat, Komat, Karroq, Grazhdan, Zminec).

Për më shumë informacion kliko këtu

Komuna Lukove

Komuna Lukovë, e përbërë prej 9 fshatrash, shtrihet thuajse tërësisht në bregdetin e Jonit në një gjatësi prej 35 kilometrash dhe ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 150 000 ha. Terreni kryesisht kodrinor i territorit ka favorizuar frutikulturën dhe veçanërisht kultivimin e ullirit.

Për më shumë informacion kliko këtu

Komuna Markat

Komuna Markat ka një popullsi prej 3 450 banorësh të shpërndarë në fshatrat Janjar, Ninat, Markat, Shalës, Dishat dhe Verve.Komuna, që shtrihet në një sipërfaqe prej 131 km², numëron një sërë biznesesh dhe ka burime të mira natyrore, por shfrytëzimi efikas i tyre pengohet prej një seri faktorësh ndër të cilët edhe infrastruktura.

Për më shumë informacion kliko këtu

Komuna Xarre

Komuna Xarrë, që ndodhet në një prej skajeve më jugore të vendit, shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 26 km² dhe numëron një popullsi prej 7 850 banorësh. Komuna përbëhet prej fshatrave Xarrë, Mursi, Vrinë, Shkallë dhe Shëndelli. Terreni është kryesisht fushor dhe klima mjaft e favorshme e bregdetit jonian krijojnë kushte të mira për zhvillimin e bujqësisë dhe të tjerë sektorëve ekonomikë.

Për më shumë informacion kliko këtu

Bashkia Delvinë

Bashkia Delvinë, e cila ka në përbërjen e vet qytetin e Delvinës dhe fshatrat Sopot (Varfaj), Kakodhiq, Lefterohor, Rusan, Vllahat, Bamatat, Stjar dhe Vane, shtrihet në një sipërfaqje prej 5 387 hektarësh. 14 422 banorët e njësisë janë të kombësive shqiptare, greke, rome dhe egjiptiane. Lëvizja e popullsisë drejt qendrave më të mëdha si Saranda dhe Tirana ka ndodhur përkrah emigrimit të banorëve drejt Greqisë e Italisë, por në vitet e fundit është vënë re një përmbysje e këtij trendi.

Për më shumë informacion kliko këtu

Komuna Finiq

Komuna Finiq, që shtrihet në ultësirën e Vurgut numëron 7 067 banorë të shpërndarë në fshatrat Vrion, çlirim, Bregas, Karahaxh, Blerimas e Buronjë (Mavropull). Njësia ka një pjesë të madhe të territorit të shfrytëzueshëm si tokë bujqësore me produktivitet të lartë ndaj dhe një numër i madh i banorëve kanë si aktivitet të tyrin parësor bujqësinë. Njësia është afër qyteteve të Sarandës e Delvinës.

Për më shumë informacion kliko këtu

Komuna Mesopotam

Komuna Mesopotam ka një sipërfaqe prej 24 000 hektarësh të shtrirë në një terren kryesisht malor. 7 290 banorët e Njësisë jetojnë në fshatrat Mesopotam, Kranë, Livinë, Dhrovjan, Krongj, Velahovë, Sirakat, Pecë, Muzinë, Ardhasovë, Fitore, Kostar, Brajlat, Bistricë e Kardhikaq. Në përgjithësi toka përdoret për prodhime bujqësore dhe blegtoriale.

Për më shumë informacion kliko këtu

Bashkia Orikum

Orikumi është vend me potenciale turistike dhe turizmi përbën një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, nëpërmjet të cilit banorët sigurojnë të ardhurat kryesore. Për shkak të terrenit edhe blegtoria zë një vend të rëndësishëm në ekonominë vendase, por edhe sektori i bujqësisë mbetet aktivitet kryesor ekonomik pasi mundësitë për zhvillimin e këtij sektori janë të mira, veçanërisht nëse flasim për Fushën e Dukatit dhe të Tragjasit.

Për më shumë informacion kliko këtu

Komuna Vergo

Komuna Vergo, e përbërë prej 8 fshatrash, ndodhet në veriperëndim të Delvinës, në bregun e majtë të lumit Kalasa në zonën e Rrezomes. Komuna shtrihet në një sipërfaqe 129 km² në terren kodrinor i cili ka favorizuar zhvillimin e bujqësisë në përgjithësi dhe frutikulturës në veçanti. Komuna ka një popullsi prej 4500 banorësh që krahas bujqësisë zhvillojnë aktivitete të ndryshme ekonomike si ndërtimtaria, sektori agro-ushqimor, etj.

Për më shumë informacion kliko këtu