Tiranë, me 11 Shkurt 2010 - FSHZH trajnon Qarqet për mirëmbajtjen e rrugëve rajonale e lokale

Ne kuadër të projektit “Rruget Dytesore e Lokale”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit po vijon trainimet në 12 Qarqet e Shqipërisë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor të rrugëve rurale. Ky trajnim është pjese e projektit “Rrugët Dytësore dhe Lokale” financuar nga Banka Botërore, CEB, OFID dhe donatore te tjerë. Përveç investimeve ne rehabilitimin e 1500 km rrugore, ky projekt ka një komponent tjetër te rëndësishëm ne te cilën përfshihet dhe ngritja e kapaciteteve të komunave me anë të trajnimeve të bëra nga ana e ekspertëve të FSHZH-së.

Trajnimi i parë është kryer ne Shkodër ne dhjetor 2009, dhe më pas kanë vijuar trajnimet e tjera në qarqet Dibër, Korcë, Fier etj. Është parashikuar që deri në fund te projektit të realizohen rreth 21 cikle trajnimesh në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht janë përfunduar me sukses ciklet e trajnimit në pesë qytete.

Objektivi kryesor i këtyre trajnimeve është familjarizimi i Njësive te Qeverisjes Vendore me aktivitetin që duhet kryer për mirëmbajtjen rutine të rrugëve, ofrimi i një trajnimi profesional për personelin përgjegjës të tyre si edhe aftësimin e tyre për të menaxhuar kontraktorët e sektorit privat.

Në fund të çdo aktiviteti, pjesëmarrësit pajisen me Udhëzuesin për Mirëmbajtjen e Rrugëve Rurale, i cili është hartuar dhe botuar nga FSHZH, ku tregohen qartë hapat që duhen ndjekur per një mirëmbajtje sa më cilësore të rrugëve.

Risia e projektit te “Rrugëve Dytësore dhe Lokale” është sigurimi i qëndrueshmërise dhe funksionalitetit afatgjate të rrjetit rrugor nëpërmjet kontraktimit të shërbimit te mirëmbajtjes në sektorin privat.

Projekti “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”, bashkë financuar nga Banka Botërore dhe donatorë te tjerë në vlerën 400 milion USD, synon të rrisë përpjekjet konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në vend si edhe për rritjen e aksesit ndaj shërbimeve bazë dhe tregjeve, veçanërisht në zonat rurale nëpërmjet rehabilitimit te rreth 1500 km rruge. Aktualisht janë në proces implementimi 210 km rruge rajonale dhe lokale me një buxhet prej 107 milion USD.