Bulgarec, Korçë më 31.05.2010 - Qendra Komunitare Bulgarec organizon aktivitetin me temë: “Të drejtat e fëmijëve, mësojini ato. Kërkojini ato. Mbrojini ato!”

Qendra Komunitare Bulgarec, ditën e hënë datë 31 Maj, 2010, nga ora 11.00 – 12.30, organizoi në ambjentet e saj aktivitetin me temë “Të drejtat e fëmijëve,mësojini ato. Kërkojini ato. Mbrojini ato”.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin autoritete të Qarkut Korçë, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit, nxënës dhe mësues të shkollave 9-vjeçare të Komunës Bulgarec, banorë të fshatrave përreth, përfaqësues të Procredit Bank, si dhe përfaqësues nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që ka mundësuar ngritjen e kësaj qendre.

Pasi u bë prezantimi i të ftuarve dhe komisionit të jurisë, u shfaq një material video mbi të drejtat e fëmijëve për të vijuar më tej me konkursin me temë “Të drejtat dhe detyrat e fëmijëve”, me një dramatizim, poezi dhe ekspozitë mbi temën në fjalë. Komisioni i jurisë ndau disa çmime simbolike për poezinë dhe pikturën më të mirë.Konkursin e fituan nxënësit e shkollës 9-vjeçare Shamoll. Realizimi i këtij aktiviteti u mundësua me mbështetjen financiare të Procredit Bank si dhe të Fondacionit Humanitar Dorkas , Tabita.

Rikonstruksioni i Qëndrës Komunitare të Bulgarecit, që u krye në Maj 2008 në kuadër të projektit “Punët në Komunitet II” është realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) me financim të Bankës Botërore dhe Komunës Bulgarec me vlerë prej 14,000,000 lekë. Kjo qendër ofron një gamë të gjërë aktivitetesh sociale, kulturore dhe artistike për të gjitha grup-moshat.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili ishte i ftuar në këtë aktivitet si investitor ka financuar në vite në këtë Komunë, 6 (gjashtë) nënprojekte infrastrukture me një vlerë prej 65, 000, 000 lekë. Ndërsa për Qarkun e Korçës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që nga krijimi i tij në 1993, ka realizuar 137 projekte infrastrukture ku përfshihen rikonstruksione segmentesh rrugore, ndërtime shkollash, ndërtesash publike, projekte ujitjeje dhe ujësjellës-kanalizimesh.