Tiranë, 14 Maj 2010 - Organizohet seminari me temë "Menaxhimi i cilësisë & sistemet e monitorimit të projekteve" nga Kompania Egnatia Odos S.A

Në datat 13 - 14 Maj 2010, pranë mjediseve të FSHZH-së u organizua seminari me temë “ Menaxhimi i cilësisë & sistemet e monitorimit të projekteve. 

Ky seminar është pjesë e planit të punës së FSHZH për vitin 2010, në kuadër të ngritjes së kapaciteteve institucionale, në përshtatje  me praktikat ndërkombëtare të menaxhimit të cilësisë.  

Pjesëmarrësit në këtë trajnim u njohën me standartet e menaxhimit  sipas ISO (International Organization for Standardization) të aplikuara  në projekte të infrastrukturës.  Trajnuesit sollën eksperiencat më të mira të Kompanisë Egnatia Odos S.A. me qëndër në Selanik, Greqi.

 Duke qënë një nga kompanitë shtetërore lider në fushën e implementimit dhe menaxhimit të projekteve në infrastrukturën rrugore,  referuesit  trajtuan një sërë çështjesh teorike dhe praktike të cilat do ti shërbejnë stafit të FSHZH-së në punën e përditshme dhe arritjen e standarteve ndërkombëtare në projektet e infrastrukturës.

ISO është një organizëm ndërkombëtar i standartizimit, i përbërë nga përfaqësues të organizatave kombëtare të standartizimit nga 158 vende të botës.  Kjo organizatë e krijuar në vitin 1947 ka për qëllim të përcaktojë  standarte dhe norma  ndërkombëtare të cilësisë në fusha të ndryshme, përfshirë këtu edhe ndërtimin.

Pjesë tjetër e rëndësishme e këtij trajnimi ishte dhe njohja me sistemet e monitorimit të projekteve.  Në këtë seance u trajtuan në mënyrë të detajuar në aspektin teorik dhe praktik, përdorimi i softeve  që përdoren aktualisht për monitorimin e projekteve të infrastrukturës. Aspektet teorike të përdorimit të  sistemit të monitorimit përmes softeve, Primavera, Microsoftproject, GIS, etj, u shoqëruan me aplikimin në praktike të tyre përmes ushtrimeve të ndryshme.

Në këtë seminar u trajnuan 31 specialistë nga të gjitha Departamentet dhe Njësitë e FSHZH-së. Ky trajnim do t’ju shërbejë specialistëve të FSHZH-së, për të aplikuar në të ardhmen e afërt standarte të cilësisë në ndërtim sipas ISO, dhe sisteme  efikase të monitorimit.

Vendosja e standarteve ndërkombëtare në procedurat e punës së FSHZH-së ka qënë dhe mbetet një prioritet i strategjisë afatmesme të institucionit dhe që synon ti paraprijë nevojave për zhvillim në vend.