Berat, 28.05.2010 - Kryeministri Berisha përuron përfundimin e rrugës Ura e Goricës-Mbreshtan dhe fillimin e punimeve për rrugën Mbreshtan-Sinjë

Gjatë vizitës së tij të radhës në rrethin e Beratit, Kryeministri Berisha përuroi ditën e premte përfundimin e punimeve për rrugën Ura e Goricës-Mbreshtan dhe fillimin e punimeve për rrugën Mbreshtan-Sinjë. Prezent në këtë përurim ishte edhe Z.Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Rehabilitimi i segmentit rrugor “Ura e Goricës-Mbreshtan” me gjatësi 7.8 kilometra u krye në kuadër të Projektit “Rrugët Dytësore dhe Lokale” financuar nga OFID dhe implementuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë 205 milionë lekë.Ndërsa segmenti tjetër rrugor “Mbreshtan-Sinjë” me gjatësi 10.1 km rikonstruksioni i të cilit pritet të përfundojë në Shkurt 2011 financohet nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB) dhe implementohet po nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të Projektit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale.

Këto investime do t’u shërbejnë 12000 banorëve të zonës që përshkojnë këto rrugë si edhe njëkohësisht do të jenë një shtysë e fuqishme për promovimin e turizmit lokal dhe atij të huaj, duke kontribuar gjërësisht në përmirësimin e kushteve të jetesës së këtyre banorëve dhe duke rritur frekuentimin e zonës nga turistë potencial.

Kryeministri Berisha, pas përshëndetjeve të përzemërta me banorët, i siguroi ata se qeveria do të mbajë dhe shndërrojë në realitet çdo premtim që ka dhënë, sepse vetëm një Shqipëri e zhvilluar dhe moderne mund të arrijë objektivin e saj madhor, integrimin në Bashkimin Europian.

Segmenti rrugor në të cilin u filluan punimet është pjesë e projektit “Rrugët dytësore dhe Lokale”projekt i bashkë financuar nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë në një vlerë prej rreth 400 milion USD. Ky projekt synon të rrisë përpjekjet konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në vend si edhe për rritjen e aksesit ndaj shërbimeve bazë dhe tregjeve, veçanërisht në zonat rurale nëpërmjet rehabilitimit të rreth 1500 km rrugë.