Ditën e enjte më 13 Maj në hotelin “Viktoria” në Prishtinë, u nënshkrua marrëveshja për lëvrimin e fondeve të akorduara Komunës së Graçanicës nga Qeveria Shqiptare.
Marrëveshja për këtë donacion prej 400 mijë eurosh që Qeveria Shqiptare ka planifikuar për të ndihmuar komunat e reja të krijuara në Kosovë, u nënshkrua për palën Shqiptare nga zoti Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe nga Zoti Bojan Stojanovic, Kryetar i Komunës së re të Graçanicës.
Zoti Islam Lauka, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje u shpreh: “Sapo u bëmë dëshmitarë të nënshkrimit të një marrëveshje të thjesht, por shumë domethënëse dhe simbolike.Ajo ka të bëjë me financimin e katër projekteve për komunën e Graçanicës nëpërmjet një fondi që nuk është shumë i madh në vlerë absolute, por është me vlera të jashtëzakonshme nga mesazhi që përçon. Nënshkrimi i këtij dokumenti dëshmon për një vizion dhe mentalitet të ri edhe të donatorit por edhe të komunës së re të Graçaniçës që e pranon këtë donacion”.
Ndërsa Zoti Stojanovic ndër të tjera tha: “Nga vizita jonë në Tiranë ne kemi sjellë përshtypje të mira. Këto përshtypje janë një dëshmi që ne do të krijojmë një të ardhme të përbashkët dhe do të ndryshojmë sistemin e vlerave, në mënyrë që së bashku të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Të krijojmë një shoqëri bashkëkohore, duke lënë pas dallimet, të punojmë për gjëra me interes të përbashkët dhe t’ju krijojmë të gjithë qytetarëve një të ardhme më të mirë” tha Stojanoviç.
 |
 |
Duke qënë se Komuna e Graçanicës ka rreth 20 mijë banorë kryesisht të komunitetit Serb, ndihma e qeverisë shqiptare përbën një shtysë për krijimin e një klimë bashkëpunimi midis etnive në ketë komunitet.
Kjo marrëveshje e cila do të investojë rikonstruktimin e stadiumit, rregullimin e çezmës së komunës, rregullimin e rrugës afër Manastirit të Graçanicës, si dhe rregullimin e rrjetit të ujërave të zeza është mbështetur mbi një plan-veprimi me projekt-ide konkrete në fushën e investimeve të përgatitur paraprakisht nga Komuna e Graçanicës.
Këto projekte u përzgjodhën dhe do të implementohen më ndihmesën e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, dhe pritet të kenë një impakt pozitiv jo vetëm në përmirësimin e jetës së komunitetit të kësaj komune, por dhe në krijimin e një klime mirëkuptimi dhe harmonie midis komuniteteve etnike.| |