27 Janar 2010 - Përfundojnë negocimet për kredinë e BERZH mbi projektin “Rrugët Dytësore dhe Lokale”

Në datat 21 dhe 22 Janar një delegacion i Ministrisë së Financave dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i kryesuar nga Zv. Ministri i Financave z. Nezir Haldeda ishte në zyrat qendrore të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) me qëllim negocimin e një kredie në kuadër të financimeve të donatorëve për projektin e rrugëve dytësore e lokale. Pas diskutimeve dy ditore rreth kushteve të kredisë e procedurave të zbatimit të projektit u firmosën minutat e negocimit. Kredia në shumën prej 50 milion Euro pritet të bëhet efektive pas miratimit final në Bordin e BERZH dhe ratifikimit në Parlamentin Shqiptar rreth muajit Maj të këtij viti.Fondi Shqiptar i Zhvillimit përfaqësohej nga Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv, Znj. Valentina Kazanxhi, Përgjegjëse e Njësisë Juridike dhe z. Blendi Bushati, Përgjegjës i Njësisë se Zhvillimit Lokal.

Kredia prej 50 milion Euro nga BERZH është pjesë e një projekti të koordinuar prej 137 milionë Euro që do të mbështesin projektin e “Rrugëve Dytësore e Lokale”. Projekti do të jetë bashkëfinancim me një tjetër kredi nga Banka Evropiane e Investimeve me po 50 milion Euro dhe me grante të Bashkimit Evropian nga IPA 2010 e 2011 me shumë prej 33 milion Euro. Një grant prej 4 milion Euro nga Western Balkan Investment Framework do të mbulojë kosto të tjera të lidhura me projektin si projektim-supervizion, asistencë teknike etj. Rreth 650 km rrugë dytësore e lokale parashikohet të rindërtohen nga ky projekt gjatë 5 viteve të ardhshme.

Projekti “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”, bashkë financuar nga Banka Botërore dhe donatore te tjerë ne vlerën 400 milion USD, synon të rrisë përpjekjet konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në vend si edhe për rritjen e aksesit ndaj shërbimeve bazë dhe tregjeve, veçanërisht në zonat rurale nëpërmjet rehabilitimit te rreth 1500 km rruge. Aktualisht janë ne proces implementimi 210 km rruge rajonale dhe lokale me një buxhet prej 107 milion USD.

Gjate vitit 2010, parashikohet qe te jene rehabilituar apo te jene nen rikonstruksion 340 km rruge. Janë hartuar projektet teknike dhe dokumentacionet për prokurimin e 400 km, si edhe është përfunduar me sukses inventarizimi i 3500 km rruge rajonale dhe lokale duke ndërtuar një program qe do te ndihmoje veçanërisht ne prioritizimin e investimeve bazuar ne kritere objektive teknike.