Lezhë, Shënkoll më 27.05.2010 - Qendra Komunitare Shënkoll organizon “Ditën Kulturore”

Qendra Komunitare Shënkoll, ditën e enjte datë 27 Maj, 2010, nga ora 10.00 – 12.30, organizoi në ambjentet e saj festimin e ‘’Ditës Kulturore’’.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin Prefekti i Qarkut Lezhë Z.Pal Dajçi, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit, nxënës dhe mësues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Komunës Shënkoll, banorë të fshatrave përreth, si dhe përfaqësues nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që ka mundësuar ngritjen e kësaj qendre.

Aktiviteti u hap nga Zoti Fran Rrokaj, Kryetar i Komunës. Zoti Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Z. Pal Dajçi përshëndetën pjesëmarrësit në këtë aktivitet. Më tej aktiviteti vijoi me një program artistik, ekpozitë, ndeshje futbolli ndërmjet ekipit të FSHZH-së dhe ekipit të Shënkollit. “Dita Kulturore” vazhdoi me dhënien e disa çmimeve për piktorin më të mirë si dhe dhënien e kupës që u fitua nga ekipi i Shënkollit. Në fund të aktivitetit u krye edhe pastrimi vullnetar i plazhit të Tales duke e përgatitur për sezonin e ri veror.

Rikonstruksioni i Qëndrës Komunitare të Shënkollit, që u krye në Maj 2008 në kuadër të projektit “Punët në Komunitet II” është bashkëfinancim i Fondit Shqiptar për Zhvillimim (IDA) dhe Komunës Shënkoll me vlerë prej 16 milionë lekë. Kjo qendër hijeshia e së cilës shtohet nga lulishtja që e rrethon përmban sallë interneti, ambjent çlodhës për moshat e treta, salla për mësimin e gjuhëve të huaja si dhe për zhvillimin e aktiviteteve. Tashmë përfituesit e kësaj qëndre janë rreth 3500 banorë të grup-moshave të ndryshme.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili ishte i ftuar në këtë aktivitet si investitor ka financuar në vite, 6 (gjashtë) projekte infrastrukture me një vlerë të përafërt prej 185,000,000 lekë. Ndërsa për periudhën 2009-2010, në kuadër të Projektit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale, FSHZH po implementon në komuninën Shënkoll nënprojektin “ Rikonstruksioni i rrugës ish-SMT Lezhë-Rrilë.”

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që nga krijimi i tij në 1993, ka realizuar 126 projekte infrastrukture në Qarkun e Lezhës. Nga këto investime, në rrethin e Lezhës janë implementuar deri më sot 60 objekte të infrastrukturës parësore ku përfshihen ndërtime segmentesh rrugore, ujësjellës-kanalizimesh, vepra ujitje&mbrojtje nga përmbytjet, ndërtesa publike etj. Për periudhën 2009-2010, FSHZH është duke implementuar tre nënprojekte rrugësh me një vlerë prej 670, 500, 000 lekësh. Këto nënprojekte janë : Rikonstruksioni i rrugës Kallmet-Nënshat, rikonstruksioni i rrugës Lezhë-Kallmet, dhe Rikonstruksioni i rrugës ish-SMT Lezhë-Rrilë.