Qendra Komunitare Seman, ditën e premte datë 21 Maj, 2010, nga ora 10.00 – 12.30, organizoi në ambjentet e saj festimin e ‘’Ditës Kulturore’’.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin Kryetari i Qarkut Fier Z. Luan Muçaj, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit, nxënës dhe mësues të shkollave 9-vjeçare të Komunës Topojë, banorë të fshatrave përreth, si dhe përfaqësues nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që ka mundësuar ngritjen e kësaj qendre.
Aktiviteti u hap nga Zoti Sotir Zarka, Kryetar i Komunës. Zoti Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit në fjalën e tij përshëndetëse ndër të tjera u shpreh se duke parë se kaq shumë të rinj e të reja e përdorin qendrën si pikë referimi, investimi që Qeveria Shqiptare dhe Banka Botërore ka bërë për këtë qendër ka qenë frytdhënës. Zoti Luan Muçaj përgëzoi Komunën për inisiativën e “Ditës Kulturore”, ditë e cila përkon edhe me hapjen e sezonit turistik. Gjithashtu pjesëmarrësit i përshëndeti Znj. Diana Koçiaj përfaqësuese e Drejtorisë Arsimore Fier. Më tej aktiviteti vijoi me një program artistik, ekpozitë, ndeshje volejbolli ndërmjet shkollave, si dhe me një ndeshje shahu ndërmjet finalistëve në shkallë komune. “Dita Kulturore” vazhdoi me dhënien e disa çmimeve për fituesit. Në fund të aktivitetit u krye edhe pastrimi vullnetar i plazhit të Semanit duke e përgatitur për sezonin e ri veror.
Rikonstruksioni i Qëndrës Komunitare të Topojës, që u krye në Maj 2008 në kuadër të projektit “Punët në Komunitet II” është bashkëfinancim i Fondit Shqiptar për Zhvillimim (IDA) dhe Komunës Topojë me vlerë rreth 14 milionë lekë. Kjo qendër përmban mjedise çlodhëse moderne, sallë interneti si dhe salla trainimi. Tashmë përfituesit e kësaj qendre janë rreth 180 nxënës dhe 800 banorë të të gjitha moshave.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili ishte i ftuar në këtë aktivitet si donator ka financuar në vite 4 (katër)projekte të tjera me një vlerë totale prej 66. 000.000 lekë. Banorët e kësaj Komune kanë përfituar nga këto financime përmes rehabilitimit të dy ujësjellësave, 1 segmenti rrugor dhe një projekti ujitjeje.
Përsa i përket investimeve në rang Qarku, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që nga krijimi i tij në 1993, ka realizuar 144 projekte infrastrukture në Qarkun e Fierit. Vetëm në rrethin e Fierit janë implementuar deri më sot 70 objekte të infrastrukturës parësore; prej të cilave 47 janë ndërtime segmentesh rrugore, 19 ujësjellësa, 3 ndërtesa sociale (qendër komunitare, shkolla) dhe një projekt ujitje. Aktualisht FSHZH po investon zbatimin e katër projekteve të infrastrukturës rurale me një vlerë prej 573. 000. 000 lekë.| |