Shkodër, Gurë i Zi, më 1.06.2010 - Qendra Komunitare Gurë i Zi organizoi në ambjentet e saj festimin e ‘’Ditës Kulturore’’

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin autoritete të Qarkut Shkodër, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit, nxënës dhe mësues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Komunës Gurë i Zi, banorë të fshatrave përreth, si dhe përfaqësues nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që ka mundësuar ngritjen e kësaj qendre.

Aktiviteti u hap nga Zoti Broz Marku, Kryetar i Komunës. Më tej aktiviteti vijoi me një ekpozitë, vizitën e panairit me punime artizanale të zonës, konkursin e lules më të bukur, sfilatën e vogëlusheve që ishte edhe pjesa më e hareshme e Festës si dhe me një program artistik. Aktiviteti vazhdoi me dhënien e çmimeve për pikturën më të mirë, lulen më të bukur dhe fituesen e sfilatës. Në fund të aktivitetit u krye edhe pastrimi i mjedisit përreth komunës nga nxënësit e gjimnazit.

Rikonstruksioni i Qëndrës Komunitare të Gurit të Zi, që u krye në Maj 2008 në kuadër të projektit “Punët në Komunitet II” është realizuar nga FSHZH me financim të Bankës Botërore dhe Komunës Gurë i Zi me vlerë prej 14. 000. 000 lekë. Kjo qendër përmban sallë interneti, ambjent çlodhës për moshat e treta, salla për mësimin e gjuhëve të huaja si dhe për zhvillimin e aktiviteteve. Tashmë përfituesit e kësaj qendre janë rreth 2700 banorë të grup-moshave të ndryshme.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili ishte i ftuar në këtë aktivitet si investitor ka financuar në Komunën Gurë i Zi, 4 (katër) nënprojekte infrastrukture me një vlerë prej 45,000,000 lekë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që nga krijimi i tij në 1993, ka realizuar 166 projekte infrastrukture në Qarkun Shkodër. Nga këto investime, 81 objekte të infrastrukturës parësore janë implementuar deri më sot vetëm në rrethin e Shkodrës ku përfshihen rikonstruksione segmentesh rrugore, ndërtime shkollash, ndërtesash publike, projekte ujitjeje dhe ujësjellës-kanalizimesh. Vlera totale e projekteve të financuara në rrethin e Shkodrës arrin shifrën 1,200,000,000.Për periudhën 2009-2010, në rrethin e Shkodrës FSHZH është duke implementuar 6 nënprojekte të infrastrukturës parësore me një vlerë prej 355, 000, 000 lekë.