Tiranë 25, Qershor 2010 - Kryeministri Berisha merr pjesë në demonstrimin e teknologjive të reja për ndërtimin e rrugëve rurale në Bërxull, Tiranë

Kryeministri Berisha ditën e premte, mori pjesë në demonstrimin e teknologjive të reja nga firma Delia Construction dhe Wirtgen Group për ndërtimin e rrugëve të reja në Fshatin Domje, Komuna Bërxull. Të pranishëm në këtë aktivitete ishin Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve z. Sokol Olldashi, Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Z. Benet Beci si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Kjo teknologji e cila aplikohet për herë të parë në Shqipëri dhe në Ballkan, konsiston në një seri procesh të lidhur njeri me tjetrin dhe krijon mundësinë e ndërtimit të rrugëve në një kohë të shkurtër dhe me kosto të ulët falë vënies në funksion të gjithë përbërjes gjeologjike të rrugës.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se në përpjekjet e qeverisë për të ndërtuar rrugët në të gjithë vendin përdorimi i kësaj teknologjie hap një kapitull të ri në kohën më të përshtatshme: “Teknologjia e re, e cila konsiston në një seri procesesh të lidhur njëri me tjetrin, krijon mundësinë e ndërtimit me shpejtësi të paimagjinueshme deri më sot të rrugëve, krijon mundësi të ndërtimit jo vetëm me shpejtësi të pakrahasueshme me shpejtësitë e punimeve të derisotme, por edhe me një cilësi dhe kosto po kaq të leverdishme.

Kjo teknologji na jep siguri që deri në vitin 2013 do të finalizojmë në një kohë rekord asfaltimin, ndërtimin dhe rindërtimin e 7000 km rrugë .” Më tej zoti Berisha theksoi se çdo qoshe e Shqipërise do të lidhet me kryeqytetin në një afat kohor shumë më të shkurtër nga sa lidhet sot.

Gjithashtu Kryeministri Berisha përgëzoi edhe Zotin Benet Beci duke e shprehur se: “Duhet të përgëzoj në mënyrë të veçantë zotin Benet Beci që bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ministrinë e Punëve Publike u bë promotor për aplikimin e kësaj teknologjie dhe sjelljes së saj në Shqipëri. Përgëzoj kompaninë ‘Delia’, e cila së bashku me partnerët e saj gjermanë bëhet pionierë në aplikimin e kësaj teknologjie.”