Konsultim me qarqet për kriteret e përzgjedhjes së investimeve në kuader të "Projektit të rrugëve dytësore dhe lokale"

Konsultimi me publikun per projektin e “Rrugeve rurale dhe dytesore”

Në kuadër të projektit “Përmirësimi i rrugëve dytësore e lokale në Shqipëri” Fondi Shqiptar i Zhvillimit po kryen një seri takimesh në të gjitha Qarqet e vendit me qëllim informimin e të gjitha Njësive të Qeverisjes Vendore rreth këtij projekti si dhe identifikimin e projekteve të përshtatshme për tu financuar gjatë vitit 2008 në kuadër të këtij projekti. Projekti “Përmirësimi i rrugëve dytësore e lokale në Shqipëri” ka si qëllim përmirësimin e aksesit në shërbimet bazë dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik për popullsinë rurale përfituese në zonat e rrugëve të përmirësuara. Aktivitetet kryesore të projektit do të përfshijnë:

  1. Përmirësimin e seksioneve prioritare të rrugëve dytësore dhe lokale në të gjithë Shqipërinë.
  2. Forcimi i kapaciteteteve institucionale e organizative në nivel Qarku e komune për menaxhimin e rrjetit rrugor rural
 Kostoja përfundimtare e projektit mund të jetë rreth 400 milion USD. Do të përfshijë një sërë donatorësh si Banka Botërore, Banka Japoneze për Zhvillim ndërkombëtar, Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, Bashkimi Europian etj. Menaxhimi do të bëhet nga FSHZH në bashkëpunim me Njësitë e Qeverisjes Vendore. Identifikimi i projekteve do të bëhet në bashkëpunim me përfituesit: Qarqet në rastin e rrugëve dytësore dhe Komunat në rastin e rrugëve lokale. Për planin e parë të punës për vitin e parë të projektit, projektet do të përzgjidhen nga Qarqet e vlerësohen nga FSHZH në bazë të një skeme me pikë ku do të vlerësohet impakti social e ekonomik, teknik e financiar i projekteve të propozuara. Procesi i përzgjedhjes do të jetë shumë transparent e në bashkëpunim të plotë e të vazhdueshëm me NJQV-të. Gjatë mbledhjeve me Qarqet u është kërkuar atyre që të marrin një vendim për seksionet rrugore prioritare, bazuar në disa kritere që u janë bërë publike në këto mbledhje informuese. Këto kritere përfshijnë:
    • Propozimet janë të lidhura me prioritetet e zhvillimit të zonës
    • Propozimet kanë si përfitues një numër sa më të madh banorësh
    • Projektet duhet të kenë një projekt teknik, ose të paktën një projekt ide e cila mund të rishikohet nga konsulenti ndërkombëtar 
    • Projekti nuk ka ndikim domethënës negativ në mjedis
Kriteret që do të përdoren për vlerësimin e projekteve:  Numri i bizneseve në zonën e projektit
  1. Ndikimi i projektit në zhvillimin e turizmit (përfshirë turizmin kulturor), lidhjes me tregun (shfrytëzimin e prodhimit bujqësor) , industrinë agropërpunuese apo të ndonjë lloji tjetër në rastin e zonave periferike.
  2. Lidhja e krijuar nga rruga dhe intensiteti i qarkullimit
  3. Gjendja ekzistuese fizike e rrugës dhe e rrugëve me të cilat lidhet segmenti i propozuar
  4. Përputhja e projektit me strategjitë e zhvillimit rajonal/ose lokal
  5. Vendi që zë projekti në vendimin për projektet prioritare të Qarkut
  6. Varfëria e Qarkut/zonës së projektit
  7. Ndikimi i projektit në shërbimet arsimore e shëndetësore
  8. Numri përfituesve në mënyrë të drejtpërdrejtë nga projekti
  9. Numri i komunave e fshatrave që lidh rruga.
  10. Lëvizjet demografike gjatë 5 viteve të fundit në zonën e projektit.
  11. Kostoja e përafërt për përfitues.
Deri tani janë zhvilluar mbledhje në gjashtë Qarqe dhe pritet që brenda muajit Shkurt të jenë marrë propozimet dhe vlerësuar prioritetet sipas kritereve.
  • Foto nga takimet ne Qarqe
1
2
3