Konferenca "Dimension i ri për një zhvillim të qëndrueshëm"

Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bankën Botërore organizoi më datë 30 Tetor 2007, konferencën “Dimension i ri për një Zhvillim të Qëndrueshëm”. Konferenca prezantoi punën e kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe vlerat që ky institucion ka sjellë e krijuar me eksperiencën e tij 14 vjeçare duke asistuar Njësitë e Qeverisjes Vendore, duke rritur kapacitetet e tyre në kuadër të procesit të decentralizimit me një fokus në administrimin e investimeve në infrastrukturën lokale.
Konferencën e përshëndetën Zv/kryeministri z. Gazmend Oketa, në cilësinë e Kryetarit të Bordit Drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit si dhe Znj. Camille Nuamah, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë. Të dy këta përfaqësues të lartë shprehën mbështetjen e tyre për aktivitetet e Fondit, si dhe ngritën nevojën për përpjekje të koordinuara dhe të studiuara për të përballuar sfidat e rëndësishme të Zhvillimit Lokal në Shqipëri.
Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar te Zhvillimit, z. Benet Beci prezantoi aktivitetet kryesore të institucionit dhe drejtimet strategjike për të ardhmen. Interes te veçante paraqiten edhe prezantimet rreth përvojës së fituar në pilotimin e Hartimit të Planeve të Zhvillimit Lokal dhe asistenca teknike, për vlerësimin e projekteve të rrugëve rurale dhe urbane, në kuadër të shpërndarjes së Granteve Konkurruese nga Qeveria Shqiptare.
Gjatë kësaj konference u paraqitën edhe projektet e reja që Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të administrojë në vitet në vijim, ku për tu përmendur është projekti: “Rikonstruksioni i rrugëve dytësore dhe lokale”, që do të përmirësojë ndjeshëm mijëra kilometra rruge rurale në të gjithë vendin. Ky projekt do te financohet nga Qeveria Shqiptare me një kredi të marrë nga Banka Botërore dhe donatore të tjerë dhe pritet të filloje në vitin 2008. Projekte të tjera përfshijnë ndërtimin e ujësjellësve rurale me mbështetjen e KfW, si dhe financime për infrastrukturën rurale nga Banka e Këshillit të Evropës.