Tiranë, 3 dhjetor 2007 – Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bankën Botërore organizoi një konferencë shtypi me qëllim shpalljen e fillimit të projektit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale si dhe të kritereve teknike për shpërndarjen e investimeve. Sipas një vlerësimi paraprak, kostoja e projektit mund të jetë deri në 400 milionë USD dhe kohëzgjatja e tij do të jetë 5 vjet.
Në konferencë morën pjesë Zëvendëskryeministri, Z. Gazmend Oketa, njëkohësisht edhe kryetar i bordit të FSHZH-së, Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Z. Benet Beci, Drejtuesi i Projektit i Bankës Botërore, Z. Martin Humphreys, si edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisjes Qendrore dhe Lokale.
Në fjalën e tij, Zv/kryeministri prezantoi projektin, si edhe falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen që i jep qeverisë shqiptare me anë të tij. Gjatë fjalimit ai tha: “Ky është një projekt ambicioz i Qeverisë Shqiptare i mbështetur nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë, që do të realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Me anë të këtij projekti qeveria do të synojë të rrisë përpjekjet konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në vend si edhe për rritjen e aksesit ndaj shërbimeve bazë dhe tregjeve, veçanërisht në zonat rurale...
...Në fund të këtij projekti 5-vjeçar, ne jo vetëm që do të kemi një rrjet dytësor dhe komunal thelbësisht të përmirësuar, por do të kemi edhe një inventar të përditësuar të këtij rrjeti, që do të bëjë të mundur që të njohim me hollësi nevojat për investime dhe për mirëmbajtjen e tyre”.
Komponentët kryesorë të këtij projekti do të jenë: (i) përmirësimi i segmenteve prioritare të rrjetit dytësor dhe lokal të rrugëve në të gjithë Shqipërinë; (ii) futja e kontratave të mirëmbajtjes duke kontraktuar sektorin privat për rrjetin lokal të rrugëve; (iii) fuqizimi i organizmave përgjegjës për menaxhimin e rrjetit rrugor lokal; dhe (iv) konsolidimi i përgjegjësive institucionale për menaxhimin dhe planifikimin e mirëmbajtjes dhe investimeve të rrugëve dytësore.
Drejtuesi i projektit i Bankës Botërore, Z. Humphreys, gjatë fjalës së tij i njohu të pranishmit me komponentët kryesorë të projektit. Ai gjithashtu tha se: “Banka Botërore e ka diskutuar projektin me një numër donatorësh dhe institucionesh financiare të tjera që kanë shfaqur interes, duke përfshirë Bankën Evropiane për Investime, Bankën e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim, Bashkimin Evropian, Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Evropës dhe Bankën Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar.”
Përsa i përket ecurisë së financimit nga ana e Bankës Botërore në këtë projekt, z. Humphreys tha se:
“Qëllimi është që projekti i mbështetur nga një kredi e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) prej 20 milionë USD të jetë gati për t’iu paraqitur Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore në maj 2008.”
Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Z. Benet Beci, foli për aktivitetet kryesore të projektit dhe hapat që do të ndërmerren menjëherë për fillimin e punës. Objektivi i FSHZH-së është lidhja e kontratave të para të punimeve civile në periudhën Qershor-Korrik 2008. Projekti, në të gjitha fazat e tij, do të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Njësitë e Qeverisjes Vendore. Sipas z. Beci, kriteret kryesore për përzgjedhjen e projekteve për t’u financuar do të përfshijnë: “(i) ndikimin e projektit në zhvillimin social e ekonomik të zonës, (ii) gjendjen ekzistuese të rrugës së propozuar, (iii) numrin e përfituesve, (iv) fizibilitetin ekonomik dhe raportin kosto/përfitim. Kriteret e hollësishme do të bëhen publike para vlerësimit dhe do të konsultohen me të gjitha palët e interesuara në mënyrë që të arrihet përzgjedhja më e mirë e mundshme.”